Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 17.
53 të prekur të rinj e kanë çuar numrin e të infektuarve me COVID-19 në 483. Autoritetet shëndetësore njoftojnë se 20 pacientë deri tani janë shëruar nga sëmundja. Në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup janë shtruar 61 pacientë, teksa 11 prej tyre te intubuar në ventilatorë.
Ndërkohë, Komuna e Kumanovës prej të premtes në mbrëmje ndodhet në izolim të plotë për shkak të masava shtrënguese lidhur me koronavirusin. Ndalim-qarkullimi atje do të zgjasë deri të hënën në orën 5 të mëngjesit. Ndërkohë, të shtunën janë regjistruar shtatë raste të reja me COVID-19 në këtë qytet.
Vendimi i djeshëm i qeverisë për ta vendosur në karantinë qytetin e Kumanovës shkaktoi një lloj paniku te banorët të cilëve u kishte mbetur vetëm pak kohë para fillimit të orës policore për të nxituar në supermarkete për furnizime.
Qyteti i Kumanovës që është i dyti për nga madhësia, menjëherë pas Shkupit, prej të premtes në orën nëntë të mbrëmjes deri të hënën në pesë të mëngjesit i nënshtrohet orës policore. Dje këtu u konstatua numri më i madh i të prekurve nga COVID-19 brenda një dite dhe gjysma e tyre, përkatësisht 11 janë mjekë dhe personel mjeksor.
Gazetari Blerim Hyseni duke folur përmes Skype-it nga Kumanova, thotë se qytetarët në përgjithësi janë furnizuar me ushqime rezervë që nga njoftimi për përhapjen e pandemisë, por vendimi i përnjëhershëm i qeverisë shkaktoi një lloj paniku tek ta.
Zoti Hyseni thotë se Kumanova nuk është veçuar nga komunat e tjera për mosrespektim të orës policore dhe shkeljet e kësaj mase kanë qenë shumë të vogla të natyrës së mosdijes së qytetarëve sit ë veprojnë në një situatë emergjente.
Nëse është për t’u izoluar së pari kjo do të duhej të bëhej në Shkup ku ka më shumë raste se Kumanova, thotë z. Hyseni, i cili thekson se megjithatë qytetarët po u binden urdhërave për ta respektuar orën policore.
Ndërkohë, krerët komunalë të Kumanovës shprehen se masa e izolimit të qytetit ishte e domosdoshme me që shtimi i numrit të të prekurve me koronavirus atje ndodhi brenda një afati shumë të shkurtër kohor dhe për ta parandaluar në këtë mënyrë rrezikun e përhapjes u desht ndalim-qarkullimi i plotë gjatë fundjavës.
Nga shtatë rastet e reja me koronavirus të konfirmuara të shtunen në Kumanovë, nuk ka personel mjeksor, sipas Institutit të Shëndetit publik të qytetit.