VMRO-ja pretendon se kompanitë e themeluara nga Dimitar Kovaçevski dhe “kumbarët e tij të biznesit” po bëjnë miliona në biznesin e energjetikës, ndërsa Maqedonia e Veriut është gjunjëzuar dhe njerëzit po luftojnë çdo ditë për të mbijetuar. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, i ka bërë këto pretendime sot duke vazhduar serinë e akuzave të nisura dje për aferën “Broilo”.
Partia opozitare pretenson se Pixel Group, kompani e themeluar nga Kovaçevski dhe kumbari i tij Goran Paunov, së bashku me kompaninë Kvazar, kompani vetëm në pronësi të Paunovit, janë të përfshirë në biznese me vlerë 26 milionë euro!
“Kovaçevski dhe kumbari i tij Paunov, pas themelimit të Pixel Group, në vitin 2018 ndërtojnë një fabrikë për prodhimin e paneleve fotovoltaike në Koçan. Kompania e zotëron tregun duke realizuar fitime afër 26 milionë euro. Çështja BROILO është një skemë që tregon se si u devijuan paratë përmes Pixel Group dhe firmës Kvazar”, tha Lefkov.
Vetëm nga tenderët shtetërorë në vitet e fundit, siç shtoi ai, këto kompani kanë arkëtuar 1.8 milionë euro.
“Në vitin 2021, kur Dimitar Kovacevski është zëvendësministër i Financave, KMG EOL Kvazar lidh marrëveshje me EVN-në, mbi të cilën Kovacevski si kryeministër tani ka mandat pronësie përmes pjesës shtetërore në EVN, përkatësisht kontratës për kryerjen e punëve dhe dorëzimin e paneleve fotovoltaike, me vlerë mbi 2 milionë euro. Çështja e njehsorëve merr përmasa dhjetëra milionë euro, kur një muaj e gjysmë më parë Pixel Group njoftoi se po hyn në fazën e investimit në një fabrikë për prodhimin e paneleve diellore në zonën industriale në Tetovë, me vlerë 54 milionë euro. Kjo është një zonë ku investitorët kanë përjashtime nga taksat dhe doganat dhe sipas shkrimeve në media pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për ndihmën shtetërore. Kompania është e regjistruar me emrin AE Solar AD Tetovo, si një ndërmarrje e përbashkët e Pixel Group, e cila zotëron 40% të aksioneve, dhe një kompani nga Bullgaria që zotëron 60% të aksioneve. Goranço Paunov, kumbari i kryeministrit Dimitar Kovaçevski, tashmë është emëruar si njëri nga dy kryeshefat e AE Solar SHA Tetovë. Investimi i Pixel Group duhet të jetë 21.6 milionë euro, sipas përqindjes së pjesëmarrjes”, ka thënë Levkov.
Me këtë, Kovaçevski si kryeministër do të nënshkruajë kontratë për ndihmë shtetërore, kumbarit Goranço Paunov si drejtor ekzekutiv i kompanisë, në të cilën 40% e pronësisë i takon Pixel Group, e themeluar së bashku me Kovaçevskin!”, pretendon Lefkov.
Ai shtoi se e gjithë kjo ndodh pasi një kompani tjetër bullgare ka paralajmëruar investim në FEC Oslomej, ku shteti është partner me 18,5 për qind dhe për të cilin investim është mburrur kompania bullgare, partnere e Pixel Group.
“Prandaj shtrohet pyetja, a do të përfundojnë panelet e prodhuara në fabrikën në Tetovë në FEC Oslomej, ku shteti përfaqësohet me 18.5 për qind? Dhe cili është roli i Kovaçevskit, i cili shfaqet si themelues i kompanisë që është në rrethin e interesave të biznesit nga kjo skemë, por tani edhe si kryeministër? Dhe së dyti, a do ta monopolizojë tregun e prodhimit dhe shitjes së paneleve fotovoltaike fabrika në Tetovë, në të cilën është pronar grupi Pixel i themeluar nga Kovaçevski? E gjithë kjo po ndodh në kushtet kur vazhdimisht paralajmërohen rritje të reja të rrymës për qytetarët dhe bizneset paguajnë dy herë më shumë rrymë sesa bizneset në rajon”, tha Lefkov.
Partia opozitare njoftoi se në periudhën në vijim do të zbulojë plotësisht se si një numër i kompanive të afërta me Kovaçevskin kanë arritur të kthejnë mbi 26 milionë euro në këtë aferë.
Ata i kërkuan Kovaçevskit të mos presë publikimin e detajeve, të deklarojë menjëherë përfshirjen e tij në të gjitha bizneset e paligjshme dhe menjëherë të japë dorëheqje. /SHENJA/