LSDM fshihet pas BDI-së kur bëhet fjalë për ndryshim të modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore, deklaroi sot në Kuvend Dajanço Eftimovi, deputet i VMRO-DPMNE-së, derisa nga e Majta konsiderojnë se LSDM-ja i bllokon ndryshimet në Kodin Zgjedhor edhe pse në vitin 2016 premtonte një njësi zgjedhore. Deputetja Snezhana Kaleska – Vançeva e LSDM-së ndërkaq potencoi se partia edhe më tej konsideron se një njësi zgjedhore është një model më i mirë për ne si shoqëri dhe për këtë nivel të zhvillimit të demokracisë parlamentare, por edhe për përfaqësimi veçanërisht për partitë më të vogla politike.
Sipas Eftimovit, BDI ka qëllim të qartë që ky proces të mos fillojë aspak me çfarë procedura në Kuvend do të bllokohej. “LSDM duke e ditur këtë bën thirrje në konsensus nga të gjitha partitë edhe pse e di se kjo është e pamundur”, tha Eftimovi.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, theksoi ai, dha mbështetje pa kusht për fillimin e debatit në Kuvend dhe prandaj i bën thirrje LSDM-së qartë të thotë nëse do ta përmbushë premtimin e dhënë para qytetarëve apo “do të vazhdojë të fshihet pas BDI-së”, e cila qartë tha se “nuk do të lejojnë që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore”.
Nga e Majta sot përmes një kumtese përkujtuan se Komisioni kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive e përcaktoi nevojën për miratimin e Propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin parashihet vendosja e një njësie zgjedhore në të gjithë territorin e shtetit.
Deputetja Kaleska-Vançeva potencoi se LSDM ende konsideron se një njësi zgjedhore është “më e mirë për ne si shoqëri” edhe për këtë nivel të zhvillimit të demokracisë parlamentare, por edhe për përfaqësimin, veçanërisht për partitë më të vogla politike.
Në pyetjen e gazetarëve si do ta bindin BDI-në që të pajtohet në zgjidhjen për një njësi zgjedhore, Kaleska-Vançeva theksoi se LSDM-ja po angazhohet për një dialog të vërtet[ për arritjen e zgjidhjes. Deputetja vlerësoi se nevojitet dialog politik për çdo zgjidhje ligjore, veçanërisht për zgjidhje të këtilla madhore.