Deklaratat e kryetarit të ASH-së Arben Taravari, se ka komunikim me BDI-në, kanë zgjuar reagime partnerëve të koalicionit VLEN.
Lëvizja Demokratike ka mohuar çdo lloj komunikimi me Bashkimin Demokratik për Integrim. Nëpërmjet një kumtese, nga partia e Izet Mexhitiit vlerësojnë se LD do të vazhdoj të jetë pjesë e VLEN-it.“Nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion dhe përfundojnë se mbeten të palëkundur në vizionin e saj për një politikë të pastër, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarëve, ku figurat kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin”, thotë Lëvizja Demokratike.
Edhe Alternativa, mohon se është duke zhvilluar komunikim me BDI.“Me qëllim të sqarimit për opinionin, por edhe për të qenë korrekt me organet e strukturat partiake, si edhe me anëtarësinë dhe mbështetësit, deklarojmë publikisht se AlternAtivA nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj”, deklaroi Alternativa.
Nga Lëvizja Besa mohojnë se ndonjë eksponentë i saj dhe kryetari Bilall Kasami janë duke zhvilluar komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Ali Ahmetin.“Pa dashur ta paragjykojmë kuptimin e saktë të deklaratës së z. Taravari se – përveç atij – edhe liderët e tjerë të VLEN-it kanë komunikim me Ali Ahmetin, për shkak të korrektësisë me anëtarësinë e Lëvizjes BESA, të organeve partiake dhe mbështetësve tanë, më duhet të sqarojmë se as kryetari Bilall Kasami dhe asnjë eksponent tjetër i Lëvizjes BESA nuk ka komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim”, thotë Lëvizja Besa.
Ndonëse Taravari shprehi pakënaqësi të shumta lidhur me funksionimin në qeverisje të bllokut shqiptar, partnerët e koalicionit VLEN, thonë se janë të përkushtuar të vazhdojnë së bashku në qeverisje.