Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, nuk arriti ta zhbllokojë punën e Komisionit për Politikë Sociale, e cila ngeci pasi që LSDM-ja kërkoi të vendoset propozimi për ‘Ligjin për Branitellat’.
Pas largimit të Ilire Dautit nga kreu i Komisionit për Politikë Sociale, u caktua deputeti Bejxhan Iljaz për të udhëhequr komisionin. Por ky i fundit ka njoftuar se do të mungojë në të gjitha aktivitetet e Kuvendit.
Deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, përmes një reagimi me shkrim, i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit që ta shfuqizojë interpelancën e Ilire Dautit dhe ta kthejë në postin e kryetares së Komisionit, nëse vërtet dëshiron që ta zhbllokojë punën.
Ndërkohë, koalicioni VLEN ka kërkuar që të ketë zgjidhje të njëjtë si për ‘branitellat’, ashtu edhe për palën tjetër që ishte pjesë e konfliktit të vitit 2001.
“Ne kemi pasur qëndrim parimor që në fillim se është një çështje e cila është delikate dhe duhet të ketë një zgjidhje adekuate për të dyja anët e konfliktit. Sigurisht se edhe pjesa tjetër, në këtë rast UÇK, ka qenë e pranuar si palë dhe me Marrëveshjen e Ohrit, shteti ka pasur për obligim që të bëjë risocializimin e tyre”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Për shkak të refuzimit për ta vendosur në rend dite ‘Ligjin për branitellat’ më 10 janar, deputetët maqedonas miratuan interpelancën kundër kryetares së Komisionit, Ilire Dauti.