Koalicioni qeveritar VLEN ka reaguar ndaj kritikave që Aleanca për Shqiptarët, me kryetar Ziadin Sela i adresoi drejt tyre gjatë ditës, pas konferencës për media të drejtorit të Klinikës së Fëmijëve, transmeton TV21.
Nga VLEN ASh-në e Selës e quajtën “satelit” të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti ndërkaq thonë se kritikat ndaj tyre janë vetëm një përpjekje për “t’i mbuluar dështimet e tyre”.Është e qartë si dita që satelitët e Ali Ahmetit, të zhytur në etjen për
pushtet, po humbasin çdo grimcë të dinjitetit politik. Pasi tradhtuan
votuesit që dikur i besuan me zemër të pastër, ata u kthyen në paterica
të BDI-së, duke shpresuar në pozita të garantuara. Por kur intrigat e
tyre dështuan, këta të zhgënjyer filluan të lëshojnë klithma
dëshpëruese, duke ngjasuar me britmat e atyre që po mbyten në sëmundjen
e rëndë të depresionit politik.
Ata që dikur ishin zëri i shpresës, sot janë turpi i votuesve të tyre.
Strategjia e tyre është kopja e keqe e BDI-së: manipulime, dezinformata
dhe shpifje për të mbuluar dështimet e tyre. Ziadin Sela, tashmë një
“zëdhënës i heshtur” i Ali Ahmetit, ndjek propagandën e errët dhe
mbrojtjen e klaneve. Mbështetësit e tij të paktë sot përballen me
pyetjen se si përfunduan duke mbrojtur ata që dikur i luftonin.
Për më shumë se 20 vite, padronët e tij mbyllën sytë ndaj gjendjes
katastrofike në Kuzhinën e Klinikës së Fëmijëve, duke vënë në rrezik
shëndetin e brezave të rinj. Falë koalicionit VLEN dhe angazhimit të
drejtorit Rexhep Memedi, pas vetëm 4 muajsh punë të palodhur, ky problem
i lënë pas dore për dekada po merr zgjidhjen e merituar. Për ne,
shëndeti i fëmijëve është mbi çdo interes tjetër.
Koha e manipulimeve të Ali Ahmetit dhe satelitëve të tij ka përfunduar!
Qytetarët tashmë janë të vetëdijshëm për lojërat e tyre dhe nuk do të
lejojnë më të manipulohen nga ata që mendojnë vetëm për veten dhe klanet
e tyre.
Koalicioni VLEN është shpresa dhe zgjidhja për shqiptarët!”, thuhet në reagimin e VLEN.