“Po i humba zgjedhjet shkoj te shpia” është përgjigja e kryetarit të opozitës shqiptare Ali Ahmeti drejtuar krerëve të Koalicionit VLEN. Ai këtë mesazh iu përcolli përmes fjalimit në tubimin partiak në mbrëmjen e së hënës në Kumanovë. Bashkë me zgjedhjet komunale, Ahmeti kërkon që të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Lideri i integristëve deklaroi se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme dhe BDI merr një votë më pak se oponentët e tij, ai do të heq dorë nga politika.
“Këta tanët që kanë shkuar aty janë puthadorë. Këta s’mund të ngritin çështje. Dëgjova se Hristijani u thënka atyre se Ali Ahmeti më pret poshtë… Prandaj i kam mbledhur liderët e Frontit dhe kryesinë e BDI-së dhe thash t’u themi troç se këta nuk e marrin vesh që ne nuk jemi të interesuar për të hyrë në Qeveri. Por, sa më parë që këta e lëshojnë Qeverinë, aq më mirë është për ata, për familjet e tyre. Sepse kjo është faqe e zezë për shqiptarët. Historikisht ne e keqja na ka ardhur prej tanëve dhe nuk është mirë. Nuk është mirë! Dëgjova se kërkojnë nga unë që me notar të jap nënshkrim që nëse një votë unë humb zgjedhjet, të deklaroj se unë nuk do të jem pjesë e Qeverisë. Unë një çerek shekull ju them se po i humba zgjedhjet, shkoj te shpia”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Nga koalicioni VLEN reaguan me kumtesë të titulluar “Kumanova digjet, Alia krihet”. Sipas VLEN, integristët trumbetojnë spektakël nëpër tubime, në mungesë të reformave të brendshme kadrovike e programore.
“BDI mbanë vulën e dështimit në Kumanovë. Për më shumë se 20 vjet, Ali Ahmeti, Kumanovën e përdori si poligon për eksperimentet e tij dhe për ta ruajtur rehatinë e kolltukut të tij. Ku ishte BDI, kur ndodhi rasti i Sopotit për t’i mbrojtur kumanovarët? Ku ishte BDI kur digjej Lagja e Trimave? Vulën e BDI-së e mbanë edhe vdekja e Rexhail Qerimit, ku edhe super-ekspertiza vërtetoi që ai nuk ishte fajtor në rastin Alfa”, thonë nga koalicioni VLEN.
Kritika nga të dyja palët sa vijnë e shtohen ku nga radhët e Frontit Evropian vlerësojnë se në zgjedhjet e fundit parlamentare Koalicioni VLEN hyri në qeveri pa pasur shumicën e votave shqiptare. Kurse nga kjo e fundit thonë se ndryshimi ishte i domosdoshëm nga keqëqeverisja dy dekadëshe e BDI-së.