-1.6 C
Tetovo
E premte, 21 Shkurt, 2025
BallinaLajmeVLEN: Po punojmë për krijimin e një shërbimi sekret modern, shqiptarët do...

VLEN: Po punojmë për krijimin e një shërbimi sekret modern, shqiptarët do të jenë të përfaqësuar

VLEN sot ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së për për mospërfaqësimin e shqiptarëve në pozitat udhëheqëse në shërbimet sekrete.

VLEN i kujton BDI-së se ishte pikërisht kjo parti, e cila në vitin 2011, duke qenë pjesë e qeverisë Gruevski, votoi në mbledhjen e qeverisë sistematizimin e ri të Agjencisë së Zbulimit, duke e shkrirë de jure pozitën e zëvendësdrejtorit. Pra, ishte BDI ajo që e la këtë agjenci pa zëvendësdrejtor, pozitë të cilën, për ironi të fatit, në atë kohë e mbante një funksionar i saj.

“Sa i përket Shërbimit të Zbulimit Ushtarak, ta kujtojmë BDI-në se kjo strukturë, si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, kurrë nuk ka pasur asnjë udhëheqës shqiptar. Numri i shqiptarëve në këtë shërbim është në nivel minimal, dhe gjatë kohës kur Talat Xhaferi ishte ministër i Mbrojtjes, nuk arriti të ndryshojë asgjë në këtë situatë.

Ndërkohë, ju informojmë se zëvendësdrejtori i Agjencisë Nacionale për Siguri, deri dje kuadër i BDI-së, sapo i ka përfunduar mandati dhe procesi për emërimin e një zëvendësdrejtori të ri është në procedurë e sipër. VLEN po punon për një zgjidhje profesionale dhe një figurë me integritet.

BDI tani u kujtua të flasë për shërbimet sekrete, ndonëse ishte pikërisht kjo parti që lejoi nëpërkëmbjen e shqiptarëve në këto shërbime, veçanërisht në kohën e Sasho Mijallkovit. Ish-numri dy i BDI-së madje arriti ta shpëtojë atë nga gjyqësori si të “pafajshëm””, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga atje shtojnë se VLEN po punon intensivisht për krijimin e një shërbimi sekret modern, duke bashkuar Agjencinë e Zbulimit (AZ) dhe Agjencinë Nacionale për Siguri (ANS). Ky shërbim do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe pozita e dytë e tij do t’i takojë një profesionisti shqiptar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments