Koalicioni VLEN tha se kanë miratuar interpretimin autentik të Ligjit për lojërat e fatit, që siç thonë, me miratimin e kësaj, përfunduam epokën e lojërave të fatit online.
“Qytetarët tashmë janë shprehur qartë dhe me njëzë: ata nuk duan që fëmijët e tyre të rriten në një mjedis ku lojërat e fatit bëhen përditshmëri. Prandaj, me kërkesën e shumicës parlamentare, miratuam interpretimin autentik të Ligjit për lojërat e fatit, me të cilin përfunduam epokën e lojërave të fatit online.
Plani i Koalicionit VLEN për të përballuar pasojat e lojërave të fatit është i qartë dhe vendimtar:
1. Të ngrihen procedura gjyqësore për keqpërdorimin e pozitave zyrtare dhe autorizimeve të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në marrjen e vendimeve të paligjshme lidhur me lojërat e fatit.
2. Të reduktohet numri i objekteve të lojërave të fatit për të paktën 50%, për të ulur ndikimin e dëmshëm të lojërave të fatit në shoqëri.
3. Të propozohet një ligj i ri për lojërat e fatit, i cili do të kufizojë aktivitetet e dëmshme dhe do të mundësojë rregullimin e rreptë të kësaj industrie.
VLEN mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj – të luftojë kundër korrupsionit, të mbrojë popullin dhe të ndërtojë një të ardhme të shëndetshme dhe të drejtë për të gjithë ne”, thonë nga koalicioni VLEN