19.3 C
Tetovo
E enjte, 3 Korrik, 2025
BallinaLajmeVLEN me ironi falënderoi Edi Ramën: Është bërë shkaktar për të bashkuar...

VLEN me ironi falënderoi Edi Ramën: Është bërë shkaktar për të bashkuar Taravarin me Bujar Osmanin

Pjesëmarrja e Arben Taravarit nga Aleanca për Shqiptarët në shëtitjen joformale të kryeministrit Edi Rama, bashkë me funksionarët e BDI-së gjatë një ditë më parë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ka shkaktuar reagime nga ish bashkëpunëtorët e tij nga koalicioni VLEN, të cilët në veçanti kanë komentuar afërsinë e Taravarit, me Bujar Osmanin, apo funksionarin e lartë të BDI-së që në zgjedhjet e fundit presidenciale e kishte kundërkandidat për të parin e shtetit.Kryetari i partisë Alternativa, Zeqiriija Ibrahimi, me ironi shkruan se nëse asgjë më shumë nuk bëri kryeministri Rama dje në Shkup, me rëndësi u bë sebep për t’i bërë bashkë Bujar Osmanin me Arben Taravarin. “Herën e ardhshme mbase do të ketë mision edhe më të rëndësishëm. Të faleminderit Kryeministër që po i bashkon shqiptarët!”, shkruan me ironi Ibrahimi.

Film i vjetër me aktor të ri, e quan Arben Fetai, shëtitjen e Taravarit me kryeministrin shqiptar, nën shoqëri të funksionarëve opozitarë të BDI-së. Sipas Fetait, Taravari është peng i Ali Ahmetit dhe për këtë kanë ndërmarrë hapa për ta mbrojtur Aleancën nga kthetrat e Ahmetit. “Doktori dhe Pacienti nisën fushatën dorë për dorë, duke mbështetur rehabilitimin e Aliut dhe gjithë rrjetit të hajnisë dhe tradhtisë 22-vjeçare. Pas këtij normalizimi të turpshëm, hapi i radhës do të jetë edhe më i ulët, edhe më i gërditshëm”.

Afërsia publike e Taravarit me funksionarët e BDI-së, mbase ka lënë hapësirë të nënkuptohet se pamjet e tilla do t’i shohim edhe gjatë fushatës zgjedhore të tetorit. Taravari, për media dje theksoi se janë në bisedime me BDI-në, por të njëjtat ende nuk janë finalizuar. Duke u shprehur i kënaqur se Ahmeti po i përmbush premtimet që i ka dhënë sa i përket kandidatëve për kryetarë të komunave, Taravari theksoi me siguri të madhe se në Gostivar do të garojë bashkëpartiaku i tij Valbon Limani. Megjithatë, ende nuk ka një vendim të qartë nga Kryesia e BDI-së, nëse do të pajtohen që të mos nxjerrin kandidat të tyre për qytetin që dikur BDI-ja e llogariste si bastion të vet./Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments