Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, për shkak se sipas tyre, kjo Qeveri po e çon vendin në drejtim të gabuar, ndaj dhe qytetarët kanë nevojë për një rishqyrtim politik. Përmes një komunikate ata kanë thënë se në çështjet kyçe me interes strategjik, Qeveria përballet me një dështim të plotë në prioritetet që vetë i paraqiti si interes shtetëror.
Të nxitur nga motive populiste në prag të zgjedhjeve lokale, sipas BDI-së Qeveria e hoqi plotësisht dosjen evropiane të vendit dhe mundësinë për të vazhduar negociatat me BE-në.
Koalicioni VLEN
“Ata që për dekada e përdorën pushtetin për interesa personale, sot, të frustruar dhe të zbuluar para qytetarëve, kërkojnë të kthejnë kohët e vjetra të kapjes dhe shantazhit. BDI që çdo institucion shndërroi në degë partie, që nënçmuan intelektualët, që ia dorëzuan të drejtat shqiptare pazareve të ulëta, sot kanë frikë nga drejtësia. VLEN është në qeveri për të zbatuar ndryshimin që shqiptarët e kërkuan me zë të lartë dhe nuk do të ndalet deri sa secili shqiptar të ndjehet i lirë, i barabartë dhe me dinjitet në vendin e vet”.
Ata bindshëm thonë se në tetor, në zgjedhjet lokale, VLEN do t’i fitojë të gjitha komunat shqiptare, do të jetë në çdo komunë, në çdo institucion, me duar të pastra dhe me fytyrë të bardhë para qytetarëve, duke shtuar se koha e BDI-së ka marrë fund dhe se era e ndryshimit ka filluar.