“Badenteri nuk preket! Është hallkë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit dhe themeli mbi të cilin u ndërtua rendi i ri kushtetues në Maqedoninë e Veriut. Çdo tentim për ta relativizuar ose për ta përdorur si mburojë politike nga ata që e kanë shkelur MO-në për 20 vite është hipokrizi e pastër”, kështu reaguan nga koalicioni VLEN.
Nga VLEN thonë se BDI nuk ka kredibilitet të flasë për Marrëveshjen e Ohrit.
“Pikërisht ata që sot bëjnë moral, ishin ata që e lanë në harresë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, e lejuan diskriminimin gjuhësor, e përdorën Balancuesin vetëm si dekor për punësime partiake, dhe për dy dekada ishin ortakë të pushtetit që shqiptarëve u mohoi barazi të vërtetë. Ndërkohë, është qeveria VLEN ajo që solli në jetë hallkën kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke garantuar një herë e përgjithmonë se shqiptarët dhe të gjitha komunitetet do ta kenë zërin e tyre real në institucionet e shtetit. Ky është dallimi midis nesh dhe BDI-së nongrata: ne po i japim jetë marrëveshjes, ata për 20 vjet e kishin shkelur e shpërfillur. Më 19 tetor, populli do të flasë me votë. Jo vetëm që do ta vulosë mbrojtjen e Badenterit dhe Marrëveshjes së Ohrit, por edhe do t’i eliminojë BDI-në nongrata nga pushteti lokal, aty ku janë bërë simbol i korrupsionit, i dështimit dhe i tradhtisë ndaj shqiptarëve. Me anketa të rrejshme dëshirojnë të manipulojnë opinionin, por e vërteta është se në të gjitha anketat BDI nongrata bashkë me patericat e saj është në rënie. Andaj, ora e përgjegjësisë ka ardhur. Dhe këtë herë, askush nuk do të mund t’i shpëtojë gjykimit të qytetarëve”, thanë nga VLEN.