Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të premten se shpronësimet në veri të vendit janë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës ndërsa kërkoi nga institucionet që kjo çështje t’u shpjegohet në hollësi partnerëve të Kosovës që kanë shfaqur shqetësime rreth procesit.
Ju e dini që është jashtëzakonisht e rëndësishme, e domosdoshme për sigurinë e të gjithë neve pavarësisht ku jetojmë brenda Kosovës, që veriu i Kosovës të mbrohet nga sulmet e Serbisë dhe në mënyrë që Kosova të mbrohet ne kemi nevojë për prezencë të institucioneve tona të sigurisë të cilat e kanë mbrojtur heroikisht dhe me sukses deri sot çdo cep të vendit tonë, prandaj derisa shpronësimet janë në përputhje të plotë me ligjet e aplikueshme, me Kushtetutën e Kosovës dhe pesë hapat që janë e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut”, tha ajo.
Me 30 maj qeveria e Kosovës miratoi vendimin përfundimtar për shpronësim të disa pronave në komunat e Leposaviçit dhe Zubin Potokut, të banuara me shumicë serbe, në funksion të realizimit të sic thuhet, “Projekteve Infrastrukturore të Interesit Publik” në këto komuna. Qeveria parasheh që në disa nga ato toka të shpronësuara të ndërtojë edhe stacione të policisë.
Por, vendimi ngjalli reagimin e ambasadorëve të vendeve të Quint-it, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së në Kosovës, të cilët nëpërmjet një deklarate shprehën keqardhjen për vendimin e qeverisë duke e kritikuar atë për shkeljen e ligjeve dhe rregulloreve të veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit.
Qeveria e Kosovës hodhi poshtë vlerësimet e diplomatëve perëndimorë duke theksuar se reagimi perëndimorë “konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente”.
Qeveria tha se në vendimin përfundimtar ka pasqyruar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm dhe sipas tyre ligji për shpronësim është zbatuar njësoj si në tërë komunat tjera të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani tha se përkrahë çdo veprim që është në interes të sigurisë kombëtare dhe të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Besoj që ka ende hapësirë ndoshta për komunikim që të shpjegohen të gjitha këto çështje në detaje nga institucionet përgjegjëse te partnerët tanë dhe në mënyrë që të sigurohen të gjithë që e tëra që Kosova ka bërë ka respektuar një standard të Gjykatës Evropiane të cilin e respektojnë dhe e përcjellin të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës”, tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani tha se me shpronësimet në veri të vendit nuk sheh ndonjë tendencë për diskriminim mbi baza etnike, por vetëm respektim të standardeve që i ka paraparë edhe Kushtetuta por edhe Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut.
Shpronësimet në veri patën ngjallur reagimin e qytetarëve serb të cilët thanë se autoritetet në Prishtinë po synojnë të ndërtojnë baza të policisë në tokat e shpronësuara. Disa nga pronarët iu drejtuan gjykatave dhe të paktën 8 hektarë toke u përjashtuan nga shpronësimi./VOA