“Marrëveshja që sapo nënshkruam është edhe një rikonfirmim drejt vizonit tonë për një të ardhme të mirë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Do të mbështes projektet nga institucionet llogaridhënëse qeverisëse deri tek gjithëpërfshirja. SHBA-ja mbetet një partner i palëkundur në këtë drejtim. Kjo marrëveshje është një pasqyrim i qartë i fuqisë së bashkëpunimit të dy shteteve tona. Sa herë punojmë bashkë me SHBA-në, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton”, ka thënë Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani dhe përfaqësuesja e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Mary Elieen Devitt, kanë nënshkruar të mërkurën marrëveshje për grantin i cili ofron ndihmë shtesë prej rreth 34.5 milionë dollarësh për objektivat zhvillimore në Kosovë.
Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Osmani ka thënë se secila nismë që ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve i ka gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Marrëveshja që sapo nënshkruam është edhe një rikonfirmim drejt vizonit tonë për një të ardhme të mirë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Do të mbështes projektet nga institucionet llogaridhënëse qeverisëse deri tek gjithëpërfshirja. SHBA-ja mbetet një partner i palëkundur në këtë drejtim. Kjo marrëveshje është një pasqyrim i qartë i fuqisë së bashkëpunimit të dy shteteve tona. Sa herë punojmë bashkë më SHBA-në, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton”, ka thënë Osmani gjatë një konference për media të mbajtur bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan ka theksuar se marrëveshja ka për qëllim integrimin e Kosovës në tregjet evropiane teksa ka shtuar se Washingtoni zyrtar mbetet i përkushtuar për ta ndihmuar popullin e Kosovës.
“Janë bërë 25 vjet që SHBA-ja e mbështet popullin e Kosovës. Përgjatë kësaj periudhe i kemi dhënë më shumë se një miliard dollarë në mbështetje të popullit të Kosovës. Këto fonde të reja, ngjashëm do të fokusohen në programe që do ta përforcojnë më shumë ekonominë e Kosovës dhe që mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive”, ka thënë Hovenier. “Mendojmë se kjo do të ndihmojë Kosovën që të integrohet më shumë në tregun evropian dhe ta afrojë shtetin me institucionet euroatlantike, sikurse BE-ja, që sigurisht është qëllim që e ndajmë të gjithë”.
Fondet shtesë prej 34.5 milionë dollarësh janë pjesë e marrëveshjes së arritur më herët, vlera e së cilës arrin në 146.2 milionë dollarë. Këtë ndihmë shtesë, nëpërmjet USAID-it, Hovenier e ka kualifikuar si tregues të angazhimit të administratës amerikane për të mbështetur popullin e Kosovës.
“Ngjarja e sotme, përmbyllja e marrëveshjes prej 34.5 milionë dollarë, si mbështetje shtesë për popullin e Kosovës, për rritje ekonomike, integrimin evropian mendoj se qartësisht thekson këtë qëndrim. Megjithatë, duhet ta pranoj se ky angazhim ndaj popullit të Kosovës jo domosdo vlen për ndonjë qeveri të veçantë apo për zgjedhjet e politikave apo veprime të asaj qeverie”, ka theksuar ai.
Të mërkurën është nënshkrua vetëm amendamenti i gjashtë i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore, me të cilin USAID-i e mbështet Kosovën me një shumë prej 142.5 milionë dollarësh.