Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka njoftuar ambasadorët e Quintit dhe shefen e Zyres së BE-së për hapat që do t’i ndërmarrë ajo si kryetare e Kuvendit
Ajo të enjten ka pritur në takim përfaqësuesit në Kosovë të bashkësisë ndërkombëtare. U ka folur atyre për “rëndësinë për mbrojtjen e integritetit institucional të Kuvendit, mbrojtjen e stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetutshmërinë e veprimeve të institucioneve”.
Kryekuvendarja i ka informuar ata me punën e Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë për kujdesin të cilin Kuvendi po e ushtron në menaxhimin e krizës së pandemisë COVID-19.
“Ajo ua shprehu atyre mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit, për gatishmërinë e tyre dhe të vendeve të tyre që t’i qëndrojnë afër popullit të Kosovës dhe institucioneve të vendit gjatë kësaj krize”, shkruhet në njoftimin për shtyp të Zyres së Kryetares së Kuvendit.