16 C
Tetovo
E diel, 6 Tetor, 2024
BallinaLajmeVjosa Osmani në Washington D.C. në kuadër të Samitit të NATO-s, hera...

Vjosa Osmani në Washington D.C. në kuadër të Samitit të NATO-s, hera e parë që përfshihet Kosova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.

Zyra e Presidencës përmes një njoftimi për media tha se duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.

“Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja. Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments