Njerëzit përherë i kam ndarë në vetëm dy kategori: të lartë dhe të ulët. Mesazhi personal që e publikoi sot Fatmir Limani flet sheshazi se ai i përket grupit të dytë, atyre që janë tepër të ulët.
Nëse kërkon dikush mbështetje në një moment vështirësish, madje me një mesazh plot edukatë e njerëzi, siç qe ajo që e kishte shkruar profesoresha, duhet të shihet si akt besimi, madje konsiderate për tjetrin. Publikimi i atij mesazhi si të ishte ndonjë faj i madh, flet vetëm për karakterin që i mungon personit që e publikon.
Besa Kadriu është një kuadër i përgatitur, profesoreshë universitare, e cila të gjithë titujt i ka marrë me kohë dhe jo pas etablimit në politikë, autore punimesh shkencore, pjesëmarrëse projektesh akademike dhe kontribuese në mendimin politik përmes prezencës në mediume. Ajo është zëri më i artikuluar në Këshillin Komunal nga radhët e Lëvizjes Besa, një pedakoge dhe mike tejet korrekte. Edhe reagimi kundër Kryeministrit për arogancën në fjalinë e tij të pagdhendur e kërcënuese ndaj shqiptarëve, qe një akt që pritet nga një intelektuale, e cila e di se nuk duhet pyetur kurrë nëse e vërteta i shërben dikujt.
Sulmi ndaj saj, distancimi, shkarkimi i atypëratyshëm nga funksionet partiake nga frika se po zemërohet Kryeministri, qenë akte të shëmtuara që priteshin, por publikimi i këtij mesazhi është akti më i ulët që më ka rënë ta shoh.
Ma ngjalli krupën ai publikim. Pastaj ta mendosh se këtë e bën një njeri me post tepër të rëndësishëm në shtet, i cili mund ta ketë fatin e mirë ndoshta si emrin që mban, por moralin tërësisht të ulët.
Në vend që të humbasë kohën me kërkim mesazhesh e materialesh për ta denigruar një grua politikane, e cila, mjerisht, siç shihet nga mesazhi, paskësh pasur konsideratë të gabuar për të, më mirë të kishte mbledhur guximin të kërkonte shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme pas tragjedisë që ndodhi, apo të kërkonte llogari nga vartësi i tij për deklaratat primitive plot arogancë kundër shqiptarëve.
Ajo që më bëri përshtypje të keqe nuk qe vetëm sjellja e zëvendëskryeministrit Limani, i cili nuk është shquar ndonjëherë për ndonjë shkrim a reagim me klas, por komentet e shumë personave që nuk e dënonin, përkundrazi ia mbanin anën.
Sa poshtë kemi rënë!