Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu paralajmëroi padi ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, pas akuzave të saj ndaj Ganiut, përcjell TV21. Ganiu thotë se komuna e Çairit nuk i ka borxh Qytetit të Shkupit, shton se Arsovska është bërë instrument i BDI-së.“Zonja Arsovska, e respektoj faktin që jeni grua, por ju lutem, zgjidhni problemet me qetësi dhe dinjitet. Mos u bëni instrument në duart e disa njerëzve të fuqishëm të BDI-së. Ju ftoj të reflektoni dhe mos të lejoni të përdoreni në lojërat politike të BDI-së. Çairi nuk është figurë në një lojë shahu, është ind i gjallë i Shkupit. Ju inkurajoj të angazhoni menjëherë të gjitha kapacitetet e ndërmarrjes Higjiena Komunale dhe të pastroni mbeturinat e grumbulluara, me këtë mot të nxehtë dhe me lagështi, çdo ditë vonesë e rrit rrezikun e sëmundjeve infektive për fëmijët dhe qytetarët. Komuna e Çairit nuk ka borxhe të papaguara ndaj qytetit, nëse pretendoni të kundërtën, ju inkurajoj të dërgoni përmbarues dhe ta sqarojmë të vërtetën në gjykatë. z.Bujar Osmani, dhe në veçanti z.Blerim Bexheti, ndaloni së fshehuri pas kryetares së Shkupit. Beteja juaj me Çairin nuk duhet të zhvillohet në kurriz të shëndetit të qytetarëve”, tha mes tjerash Ganiu./tv21.tv