Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov ka deklaruar se varrimi i 59 viktimave në Koçani do të jetë të enjten më 20 mars, ndërsa koha e sakt do të publikohet në mënyrë shtesë.
“Në varrim do të marrë pjesë kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, z. Stefan, si dhe disa peshkopë nga Sinodi. Kisha po bën gjithçka që këta bij të përcillen në mënyrën më të denjë,” deklaroi Angelov.
Ndërsa vazhdon edhe më tej procedura e autopsisë për vërtetimin e shkaqeve të vdekjes dhe identitetit të 59 viktimave që humbën jetën nga zjarri që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën “Pulse” në Koçan. Të gjitha kufomat janë në Institutin për Mjekësi Ligjore në Shkup. Drejtori i Institutit, Aleksandar Stankov, për Alsat tha se dorëzimi i trupave të viktimave nuk do të bëhet derisa nuk përfundon procedura e autopsisë ndaj të gjithë trupave.
“Trupat do të transportohen atëherë kur të përfundojnë të gjitha autopsitë dhe kur të kemi identifikim pozitiv të të gjitha viktimave. Autopsitë bëhen në mënyrë paralele e cila është vetëm fillimi i procesit të identifikimit. Merren materiale dhe bëhen analiza të ADN-së dhe kontrollohen shenjat në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kur t’i përfundojmë të gjitha këto procese, atëherë kur të shohim se kemi përfunduar të gjitha autopsitë dhe identifikim pozitiv, do të fillojmë me dorëzim të viktimave”, deklaroi Aleksandar Stankov – Drejtor i Institutit për Mjekësi Ligjore.
Drejtori Stankov thotë se në raste të tilla tragjike, identifikimi i trupave është i vështirë por jo i pamundur. Nuk mund të jep afate se kur pritet të përfundojë e gjithë procedura.