Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme arkeologjike ka ndodhur në brigjet e liqenit të Ohrit, në fshatin piktoresk të Linit në Pogradec. Kryeministri Edi Rama ka postuar një pjesë nga reportazhi i BBC-së, ku Lini konsiderohet vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë.
”Arkeologët kanë zbuluar atë që besohet të jetë vendbanimi më i vjetër liqenor në Europë, në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri. Dëshmitë tregojnë se një komunitet i organizuar gjuetarësh dhe bujqish ka jetuar aty deri në 8 000 vjet më parë”, thuhet në një reportazh të fundit të rrjetit mediatik të BBC.Kryeministri theksoi se grupi i arkeologëve shqiptarë dhe zviceranë të intervistuar thonë se po vijojnë të punojnë çdo ditë mbi këtë zbulim, duke u zhytur në 3 metra thellësi. ”Deri më tani nuk është zbuluar as 1% e asaj që mendohet të ketë qenë pjesë e këtij vendbanimi të hershëm, ku janë gjetur mostra druri, kockash, qeramike dhe materialesh të tjera”, shtoi Rama.