Partia Demokratike ka publikuar pamjet me dron nga protesta e zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë.
Siç shihet nga pamjet e kapura nga sipër, pjesëmarrja në protestën e opozitës ka qenë masive, ku me mijëra qytetarë kanë dalë në shesh kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi kreun e qeverisë shqiptare, Edi Ramën armik, gjatë fjalës së tij në podiumin e protestës para godinës së Kryeministrisë.
“Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë. Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, tha Berisha.
Protesta zgjati mbi dy orë dhe u mbyll pa asnjë incident, ndërsa në shesh ishin kreu i PD, Sali Berisha, dhe shumë deputetë demokratë, si dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, me nënkryetarin Petrit Vasili.