6.9 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajme(VIDEO) PARTIA ALTERNATIVA PROPOZON MASA PËR TË SHPËTUAR ARSIMIN

(VIDEO) PARTIA ALTERNATIVA PROPOZON MASA PËR TË SHPËTUAR ARSIMIN

Alternativa ka vlerësuar se sistemi arsimor, duke filluar nga ai fillor, i mesëm ose edhe i lartë, nuk arrin t’i përmbushë në tërësi planifikimet mësimore dhe nxënësit nuk arrijnë t’i fitojnë njohuritë e duhura dhe të parapara sipas programeve lëndore. Kjo sipas kësaj partie dëshmon se mësimi online ka dështuar dhe Ministria e Arsimit nuk arriti të vendoset në funksion të plotë. Të shqetësuar nga zhvillimet në fushë të arsimit, të krijuara si rrjedhojë e gjendjes së jashtëzakonshme dhe neglizhencës ose paaftësisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ta menaxhuar këtë situatë, AlternAtivA propozon disa masa konkrete për ciklet e ndryshme arsimore.

Lulzim Aliu, Alternativa

“Meqë në arsimin fillor veçanërisht shqetësuese është klasa e nëntë, kur përfundon cikli i arsimit fillor, propozojmë që MASH-i, bashkë me Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendrën e Testimeve, të angazhojnë mësimdhënës e profesionistë që në mënyrë serioze do të përgatisin leksione, detyra dhe detyra të zgjidhura për lëndët e shkencave natyrore dhe ato t’u përcillen nxënësve në formë elektronike nga ana e mësimdhënësve”

Në arsimin e mesëm AlternAtivA i mbështet maturantët, të cilët – si rezultat i gjendjes së krijuar – kanë kërkuar që realizimi i provimit të maturës shtetërore për këtë vit shkollor të anulohet dhe ai të mos jetë pengesë për regjistrim në cilindo universitet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq për të gjitha vitet e tjera të arsimit të mesëm, që do të vazhdojnë në të njëjtin cikël arsimor dhe në të njëjtën shkollë, në fillim të vitit të ardhshëm shkollor Alternativa propozon t’u rikthehen përmbajtjeve mësimore që janë realizuar gjatë kësaj periudhe dhe të realizohet kontrolli i njohurive për ta vlerësuar nëse nxënësit kanë arritur t’i përvetësojnë njohuritë e duhura. Në ciklin e lartë të arsimit, pasi universitet kanë një autonomi më të theksuar, Alternativa propozon të shqyrtohen të gjitha mundësitë për përmbushjen e objektivave arsimore, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me aftësimin praktik (punën praktike) dhe punën laboratorike.

Lulzim Aliu, Alternativa

“Për studentët që kanë qenë në semestrin e fundit propozojmë të ofrohet mundësia që ato t’u nënshtrohen provimeve dhe të mos krijohen pengesa që ata të mund t’i përfundojnë studimet ose edhe të diplomojnë; Të gjithë ata studentë të cilët si rrjedhojë e gjendjes së krijuar nuk arrijnë t’i përmbushin kërkesat në dhënien e provimit dhe do të duhet ta riregjistrojnë lëndën e njëjtë në semestrin e ardhshëm, mos detyrohen të bëjnë pagesa shtesë ose të detyrohen ta paguajnë lëndën e njëjtë dy herë”

AlternAtivA edhe me këtë rast rithekson se i mbështet punonjësit e arsimit në angazhimin dhe përpjekjet e tyre dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të nëpërkëmbet dinjiteti i tyre ose të mos vlerësohet mundi i tyre. Nga kjo parti thanë se do të jenë gardianë të mbrojtjes së pagave të tyre edhe përskaj situatës së vështirë dhe kërkesave për solidarizim. Arben Zeqiri /SHENJA/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments