Masa për ngrirjen e marzhave të produkteve ushqimore bazë, e cila skadon në fund të këtij muaji, do të vazhdojë deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm, deri atëherë kur vlen shpallja e krizës energjetike, njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për media, ku prezantoi buxhetin e Ministrisë.
Nëse është e nevojshme,Bekteshi shtoi se do të ndërmerren edhe masa të tjera për uljen e çmimeve të produkteve, megjithëse, siç tha ai, çmimet, veçanërisht të produkteve ushqimore bazë, tashmë janë duke u stabilizuar dhe disa tregje zinxhir tashmë kanë filluar t’i ngrijnë vetë çmimet e produkteve.
KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Kemi qenë shumë transparentë para qytetarëve. Nuk thamë që do të ketë ulje 50, 70, 80 % për muajin dhjetor. Unë mendoj se tashmë ka një ulje të lehtë të çmimit. Tashmë edhe ‘Zhito Lux’ ka filluar uljen e çmimeve, ndërsa prodhues të caktuar kanë disa javë që i ulin ato. Vaji ushqimor nuk është më 150-160 denarë. Vaji ushqimor mund të gjendet për më pak se 100 denarë në disa markete, varësisht nga prodhuesi”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme theksoi se në 12 muajt e fundit në vend ka pasur furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe furnizim të pandërprerë me ushqime dhe nuk ka pasur goditje çmimi për qytetarët.
DIMITAR KOVAÇEVKSI, KRYEMINISTËR
“Askush nuk do të mbetet vetëm për t’u përballur me krizën. Në vitin 2023 vazhdon mbështetja financiare për familjet, për panelet fotovoltaike, sistemet e kolektorëve termikë diellorë, si dhe për ndërrimin e dritareve prej alumini PVC. Investime të tilla me burime të rinovueshme u mundësojnë qytetarëve të plotësojnë nevojat e tyre për energji elektrike por edhe të kenë kursime në kohë krize”.
Ministri I ekonomisë sqaroi se për muajin janar janë duke u bërë përllogaritje me kompanitë dhe odat ekonomike dhe, siç shtoi ai, priten ulje të mëtejshme të çmimeve. /SHENJA/