Nëntë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në kolegjin e sotëm vendosën njëzëri se nuk ka kushte për rikthimin e punës së Kuvendit. Pas diskutimit që zgjati rreth një orë e gjysmë, gjykatësit vendosën se bëhet fjalë për një lëndë për të cilën tanimë është sjellë gjykim paraprakisht. Më 8 dhe 15 prill Gjykata diskutoi për iniciativën kundër vendimit për shpërbërje të Kuvendit më 16 shkurt dhe vendosi të mos ngritet procedurë kundër saj, pasi është kushtetuese dhe në përputhje me ligjet.
Iniciativa ishte dorëzuar nga gjykatësi Osman Kadriu, pas kërkesave të disa funksionarëve dhe juristëve për të thirrur Kuvendin që të konfirmojë dy vendimet për gjendje të jashtë zakonshme të miratuara nga presidenti Stevo Pendarovski, si dhe për faktin që nuk ka Kuvend që do të mund të kontrollonte punën e Qeverisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Por në fund, gjatë seancës së sotme edhe vetë propozuesi i iniciativës, gjykatësi Osman Kadriu, votoi për konstatimin se nuk ka bazë për të shfuqizuar vendimin për shpërbërjen e Kuvendit.
Me këtë vendim imponohet mbajtja e zgjedhjeve më 7 qershor ose eventualisht 14 qershor pasi mbetet në fuqi, urdhëresa e qeverisë që pas gjendjes së jashtëzakonshme të vazhdoj procedura për organizimin e zgjedhjeve të cilën e ndërpreu KSHZ-së për shkak pandemisë.
Neni 5 i vendimi të Qeverisë (22.03.2020)
“Realizimi i aktiviteteve zgjedhore do të vazhdojë nga dita e ndërprerjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Të gjitha aktivitetet zgjedhore të ndërmarra në përputhje me dispozita e Kodit Zgjedhor në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj urdhërese llogariten si të vlefshme”
Ky vendim i Qeverisë për vazhdimin e procedurës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare përfundimisht hyn në fuqi nëse presidenti Stevo Pendarovski nuk sjell vendim të ri për gjendje të jashtëzakonshme edhe për 30 ditë të tjera. Vendimi aktual për gjendjen e jashtëzakonshme skadon më 16 maj.
Arben Zeqiri /SHENJA/