Richard Grenell ka shigjetuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti disa herë përmes rrjeteve sociale, duke e akuzuar atë për izolimin e Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtare dhe për nxitjen e tensioneve.
Por, diplomati amerikan, që me fitoren e Donald Trump pret të rikthehet në administratë, madje emri i tij u lakua edhe për postin e lartë të Sekretarit të Shtetit, së fundmi ka ndërmarrë një spastrim të postimeve kritike ndaj Kurtit.
Në llogarinë e tij në X, nëse kërkohet me fjalët kyçe ‘Albin Kurti’ rezultati është zero postime. Është e paqartë se çfarë e ka shtyrë Richard Grenell që të zhdukë çdo gjurmë të kritikave të bëra ndaj Albin Kurtit por vështirë se spastrimi lidhet më shumë me ndryshimin e opinioneve personale të tij ndaj kryeministrit të Kosovës, se sa me përpjekjet për të zhdukur gjurmët që mund të lidhin atë me Moskën.
Grenell është akuzuar nga Washington Post për lidhjet e ngushta me satelitët e Vladimir Putinit në Europën Lindore, por edhe në Ballkan. Lidhja më e fortë e tij në rajonin tonë është Aleksandër Vuçiç në Beograd. Ky i fundit e ka vlerësuar atë me medalje, duke e konsideruar si një avokat të zëshëm të Serbisë.