Arsyetimi i kryeministrit Hristijan Mickoski se inflacioni është rritur për shkak të rritjes së pagave dhe pensioneve, nuk është i vërtetë. Kështu ka deklaruar sot deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyçi, e cili e ka vlerësuar këtë si manovër për ta zhvendosur fajin për gjendjen ekonomike te punëtorët dhe pensionistët, dhe jo te arsyet e vërteta. Ai thotë të dhënat e fundit statistikore tregojnë se shpenzimet janë rritur dyfish më shpejt se rritja e pagës. Bytyqi thotë se vlera e shportës sindikale është rritur nga 61.855 denarë në mars në 63.908 denarë në maj, pra për tre muaj kemi një rritje prej 2.053 denarësh.
FATMIR BYTYÇI, DEPUTET I LSDM-SË
“Nëse shohim edhe shifrat më të reja, dallimi bëhet edhe më i dukshëm. Në qershor shporta arriti në 64.698 denarë, ndërsa në korrik në 65.328 denarë, që do të thotë një rritje shtesë prej 1.420 denarësh vetëm për dy muaj. Për të njëjtën periudhë nuk ka të dhëna për pagën mesatare, por trendi i muajve të mëparshëm tregon qartë se rritja e pagave është shumë më e ngadaltë se rritja e shpenzimeve. Fuqia blerëse reale e qytetarëve po bie. Pretendimi se pagat po e shtyjnë inflacionin është ekonomikisht i paqëndrueshëm”.
Ndërkaq, kryeministri Hristijan Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me çmimet e larta të produkteve ushqimore tha se Qeveria nuk do të nxitojë të miratojë masa të përkohshme dhe populiste për inflacionin edhe pse siç tha ai masat e përhershme zakonisht nuk janë të njohura dhe shoqërohen me rreziqe të larta politike. Ai theksoi se qeveria është e përgatitur për këtë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Jemi të vetëdijshëm, pasi e identifikuam problemin, jemi të vetëdijshëm se mund të ketë një çmim politik dhe nuk kemi asnjë dilemë këtu, por është më mirë ta paguajmë atë çmim politik në afat të shkurtër sesa që qytetarët ta paguajnë vazhdimisht në afat të gjatë.
Mickoski ditën e djeshme deklaroi se po bëhen analiza të hollësishme dhe se Qeveria nuk dëshiron të miratojë masa populiste, por një zgjidhje të përhershme për çmimet e ushqimeve.tvshenja