Vitin e ardhshëm në vend do të ketë rritje ekonomike prej 3.3% dhe inflacioni do të ulet në 2.5%, tregojnë të dhënat e bankës popullore nga parashikimet makroekonomike të vjeshtës. Guvernatorja e bankës popullore Anita Angellovska Bezhoska thotë se vlerësimet e fundit konfirmojnë perceptimin e prillit për një normë mesatare të inflacionit prej 3.5% për qind në vitin 2024, megjithëse priten lëvizje të caktuara në rritje në tremujorin e fundit. Në periudhën 2026 – 2027 pritet një përshpejtim i mëtejshëm i rritjes, në përputhje me pritshmëritë për një mjedis të jashtëm më të favorshëm dhe aktivitete investuese, theksoi ajo.
ANITA ANGELLOVSKA BEZHOSKA, GUVERNATORE E BANKËS POPULLORE
“Për vitin e ardhshëm pritet një normë inflacioni prej 2.5, që është një rishikim i vogël në rritje krahasuar me muajin prill. Në periudhën afatmesme (2026 – 2027), niveli pritet të stabilizohet në rreth 2 për qind me shterjen e pritshme të efekteve të goditjeve të jashtme të çmimeve, pritjeve të ankoruara inflacioniste dhe mungesës së presioneve të rëndësishme në kanalin e kërkesës së brendshme. Çmimet e produkteve parësore, të cilat ndikohen nga konteksti i paqëndrueshëm gjeopolitik dhe faktorët klimatikë, si dhe nga politikat e brendshme që ndikojnë në kërkesën agregate në ekonominë vendase, vazhdojnë të konsiderohen si rrezik”.
Sipas Bezhoskës, sistemi bankar do të vazhdojë të ofrojë mbështetje solide kreditore. Deri në fund të vitit, rritja e kredisë pritet të jetë e qëndrueshme dhe të arrijë në 7.5 për qind.
ANITA ANGELLOVSKA BEZHOSKA, GUVERNATORE E BANKËS POPULLORE
“ Rritje pritet edhe në periudhën afatmesme, por pak më e moderuar dhe me një normë mesatare prej 7.2 % për periudhën 2025 – 2027, në kushtet e një pozicioni solid kapital dhe likuiditeti të bankave. Rritja e kredisë, si më parë, do të mbështetet nga rritja e depozitave, si burimi kryesor i financimit. Në fund të vitit 2024 pritet një rritje solide vjetore e depozitave prej 7.9 % dhe në afat të mesëm për periudhën 2025-2027 mesatarisht rreth 7.7 %”.
Bezhoska tha se në kushtet e një ngadalësimi të ndjeshëm të inflacionit të brendshëm dhe të një tregu të favorshëm valutor, por kur ende ekzistojnë rreziqe, Banka Popullore filloi me një normalizim të kujdesshëm të politikës monetare. “Banka Popullore do të monitorojë me kujdes, në baza ditore, të dhënat makroekonomike dhe rreziqet që ekzistojnë ende dhe si më parë, do të marrë të gjitha masat e nevojshme, duke përdorur të gjitha instrumentet në dispozicion, për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit dhe stabilitetin e çmimeve”, thotë ajo.