Edhe në gjysmëvjetorin e dytë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës u mungojnë rreth 20 mijë libra shkollorë.
Për shembull, këtu në shkollën e mesme “8 shtatori”, e njohur si shkolla ekonomike, që numëron rreth 1100 nxënës, mungojnë shumë libra profesionalë në disa lëndë.
“Librat janë libra juridik dhe ekonomik që ju mungon profesorëve të kësaj shkolle dhe me problematik ne ballafaqohemi, kemi libra sivjet na kanë sjell libra por ata nuk mjaftojnë janë të statikës dhe tregtisë së brendshme dhe libra të gjuhës angleze të vitit të dytë dhe të tretë që do të thotë se është një numër i vogël i librave që nuk mund të plotësojnë nevojën e të gjithë nxënësve të kësaj shkolle”, tha Valmira Hasani, profesoreshë SH.M. “8 Shtatori” – Tetovë.
Krahas mungesës së librave profesionalë, mungojnë edhe ato të gjuhëve të huaja.
“Nga këta 20 mijë libra, 7 mijë janë të gjuhëve dhe pjesa tjetër ishin të lëndëve mësimore të shkollave fillore dhe të mesme. E dini që tenderimi apo procedura për furnizim me libra u bë nga ana e qeverisjes paraprake dhe nuk kishte mundësi për aneks apo shtesë të kontratës që mund të furnizohen shkollat me mungesë të librave”, shtoi Nazmi Dauti, Sektori për Arsim – Tetovë.Problemi me mungesën e librave është i përvitshëm. Vitin shkollor që e lamë pas në shkollat e Tetovës mungonin rreth 24 mijë libra.