Në gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë, në dy afatet e regjistrimit janë regjistruar 22 nxënës, ndërsa afati i tretë është me 21 gusht. Nga kjo shkollë presin që numri i nxënësve të rritet për t’u plotësuar tetë paralelet, duke pasur parasysh se edhe numri i pikëve në këtë shkollë nga 60 ka rënë në 50. Në gjimnazin qendror dhe në shkollën e mjekësisë numri i nxënësve është plotësuar.
“Duke u bazuar në pikët që u na lejua nga 60 në 50 pikë, ky numër pak u rrit. Shpresoj që në afatin e gushtit, respektivisht më 21 gusht, ky numër të rritet dhe të kemi një numër të konsiderueshëm, me çka do të mund të funksionojë shkolla jonë me paralelet që i kemi – tetë paralele. Së paku llogaris të kemi nga 20 nxënës në paralele, dhe unë mendoj që ky është kushti minimal që edhe ne të funksionojmë si të gjitha shkollat tjera”, tha Vllashi.Në shkollat e Tetovës deri më tani janë regjistruar mbi 700 nxënës në shkollat e mesme, edhe pse ka edhe 900 vende të lira. Nga sektori për arsim thonë se nuk presin që ky numër të plotësohet i gjithi.
“Në afatin e parë dhe të dytë janë regjistruar gjithsej 575 nxënës shqiptarë, 155 nxënës të etnitetit maqedonas dhe tetë nxënës të etnitetit turk. Ndërkohë kemi vende të lira në bazë të planit për regjistrimin e nxënësve, i cili fillimisht kalon në këshillin komunal si themelues dhe më pas jepet pëlqimi nga konkursi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në kuadër të pesë shkollave të mesme kemi rreth 900 vende të lira”, deklaroi Nazmi Dauti, Sektori për arsim i Komunës së Tetovës.Shpërngulja e nxënësve jashtë vendit është një problem serioz në shkollat e Tetovës, ku pothuajse çdo vit nga 100 deri në 250 nxënës nga shkollat e mesme dhe fillore kërkojnë fletë-shpërngulje për të jetuar jashtë shtetit.