Disa banorë të Alaskës i braktisën shtëpitë e veta pasi që uji nga liqeni i akullt filloi të rrjedhë nga baseni që paraprakisht e mbante akullnajën Mendenhol, që shkaktoi frikë nga vërshimet rekorde në Xhuno, kryeqytet i këtij shteti ameirkan, shkruan Bi-Bi-Si.
Shërbimi nacional meteorologjik (NVS) në Xhuno dha paralajmërim për vërshime sepse uji nga liqeni i akullt u derdh në lumin Mendenhol, duke i rrezikuar shtëpitë në rajon.
Autoritetet lokale me ditë i paralajmërojnë banorët se mund të detyrohen të evakuohen, ndërsa të martën konfirmuan se uji ka depërtuar në barrierën e akullt dhe se presin vërshime në ditët në vijim. Akullnaja, atraksion i njohur turistik, është rerth 19 kilometra larg Xhunos.
Sipas NVS, niveli i ujit arriti tre metra të martën, që është nën nivelin e vërshimit të madh që fillon në 4,3 metra. Por, deri dje në mëngjes u ngrit mbi 4,8 metra, që konsiderohet si kulmi. “Ky do të jetë rekord i ri, në bazë të të gjitha informatave që i kemi”, deklaroi meteorologu Nikoll Ferin në konferensën për shtyp.
Ueb-faqja e qytetit Xhuno sqaron se vërshimet nga derdhja e liqebeve të akullta ndodhin kur liqeni i krijuar nga shkrirja e borës, akullit dhe shiut të akullt zbrazet përnjëherë. Ata e krahasuan procesin me heqjen e tapës nga vaska e mbushur me ujë. Kur uji do të arrijë një nivel të caktuar, mund të derdhet mbi akullnajën që e mbante.