Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka kujtuar ngjarjet tragjike të Bit Pazarit të vitit 1992, duke i cilësuar ato si një plagë që nuk guxon të harrohet dhe si një mesazh për drejtësi e barazi.
“Sot e shkruam në gur, një ngjarje që nuk guxon të harrohet kurrë,” ka theksuar Mexhiti në statusin e tij, pas vendosjes së pllakës përkujtimore për viktimat e asaj ngjarjeje. Ai shtoi se Bit Pazari i ’92-shit është “mesazh, provë dhe borxh”, si dhe “harta morale e shqiptarëve”.
Duke reflektuar mbi rëndësinë historike dhe morale të ngjarjes, Mexhiti theksoi se përgjigjja më e denjë është ndërtimi i institucioneve të forta dhe një drejtësi që nuk përkulet. “Vetëm kështu u jepet kuptim sakrificave dhe sigurohet që padrejtësia të mos përsëritet kurrë,” përfundoi ai.

