Bashkësia ndërkombëtare duhet të shqyrtojë sanksionet kundër Izraelit për të ndaluar luftën në Gaza, tha të dielën ministri i jashtëm spanjoll, ndërsa vendet evropiane dhe arabe u mblodhën në Madrid për të kërkuar përfundimin e ofensivës së Izraelit.Disa nga aleatët e hershëm të Izraelit i kanë shtuar zërat e tyre presionit ndërkombëtar në rritje, pasi ky i fundit zgjeroi operacionet ushtarake kundër sundimtarëve të Hamasit në Gaza, sulmi i të cilëve në vitin 2023 ndaj Izraelit shkaktoi konfliktin shkatërrues. Një bllokadë ndihmash që zgjati gati tre muaj ka përkeqësuar mungesat e ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve në territorin palestinez, duke nxitur frikën e urisë.
Organizatat e ndihmës thonë se furnizimet e pakta që Izraeli ka lejuar së fundmi të hyjë janë shumë më të pakta se nevojat. Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, u tha gazetarëve para hapjes së takimit se bisedimet kishin për qëllim ndalimin e luftës “çnjerëzore” dhe “të pakuptimtë” të Izraelit në Gaza.Ndihma humanitare duhet të hyjë në Gaza “masivisht, pa kushte dhe pa kufizime, dhe jo e kontrolluar nga Izraeli”, shtoi ai, duke e përshkruar territorin si “plagë të hapur” të njerëzimit. Përfaqësues nga vendet evropiane, përfshirë Francën, Britaninë, Gjermaninë dhe Italinë, iu bashkuan të dërguarve nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Turqia, Maroku, Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik. Norvegjia, Islanda, Irlanda dhe Sllovenia, të cilat ashtu si Spanja e kanë njohur tashmë shtetin palestinez, morën pjesë gjithashtu, së bashku me Brazilin. Pasi Bashkimi Evropian vendosi këtë javë të rishikojë marrëveshjen e bashkëpunimit me Izraelin, Albares u tha gazetarëve se Spanja do të kërkonte “pezullimin e menjëhershëm” të saj.
Spanja do t’u bënte thirrje gjithashtu partnerëve të vendosnin një embargo armësh ndaj Izraelit dhe “të mos përjashtonin asnjë” sanksion individual kundër atyre “që duan ta shkatërrojnë përgjithmonë zgjidhjen me dy shtete”, shtoi ai.
Top Channel