Dy ditët e fundit, nëpërmjet rrjeteve sociale kanë nisur përplasjet “politike”online” mes kreut të Kërçovës, Fatmir Deharit dhe ministrit për Politikë Sociale Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, transmeton TV21. Përplasja nisi në rrjetin social Facebook ku kreu i Kërçovës Dehari theksoi se ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani ia ka marrë kompetencat për menaxhimin me çerdhet e Qytetit, përcjell TV21. Dehari thekson se ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë nuk e respekton gjuhën shqipe në asnjë dokument zyrtarë. Tutje Dehari shkruan: “Kot e keni ju, z.Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Me hakmarrje dhe duke vjedhur të arriturat tona politiko-kombëtare, nuk do të arrini askund, vetëm se në shërbim të djallit. Gjatë ushtrimit të detyrës suaj si ministër, nuk është vërejtur asnjë akt, shkresë apo dokument i hartuar në gjuhën tuaj amtare, pavarësisht se përdorimi i saj është i garantuar me ligj. Si përfaqësues i komunitetit shqiptar, pritej që këtë të drejtë ta respektonit dhe promovonit, duke dëshmuar përgjegjësi institucionale dhe ndjeshmëri ndaj sakrificave që kanë mundësuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe”.
E për këtë i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministrit Limani i cili potencoi se janë të kota përpjekjet e kreut të Kërçovës për t’i ikur përgjegjësisë. Limani në një status në Facebook shkruan: “Të kota përpjekjet e kryetarit të Komunës së Kërçovës për t’i ikur përgjegjësisë! Përpjekjet e kryetarit të komunës së Kërçovës për të tërhequr vëmendjen e publikut janë të kota, dhe në vend që të mbledhë pikë të vogla politike, ai duhet të fokusohet në përmbushjen e kushteve ligjore të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, për mosrespektimin e të cilit i janë hequr edhe kompetencat. Kryetari duhet të pranojë para qytetarëve arsyet e vërteta të situatës që ka çuar në heqjen e kompetencave, në vend që të tërheqë vëmendjen për gjuhën në të cilën është shkruar aktvendimi. Si ministri, detyra jonë është të monitorojmë ligjshmërinë e punës së kryetarëve të komunave dhe organeve të komunës, në nivel shtetëror”