Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.
Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post, dhe hera e parë për Nagavcin dhe Bashkën.Për Muratin dhe Nagavcin votuan 55 deputetë, 46 ishin kundër dhe pesë abstenuan. Ndërkaq, Basha mori 57 vota për, 25 ishin kundër dhe 24 abstenuan.
Seanca konstituive u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 gusht, duke filluar nga ora 11:00.Para seancës, përfaqësuesit e partive politike – që mandatin e kaluar ishin në opozitë – përsëritën qëndrimet e tyre sa i përket çështjes së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se ka marrë vendim që të mos e votojë asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja, pasi argumentoi se kjo parti “është duke e mbajtur peng shtetin” që nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare.Ky ishte vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.
Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.
Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë.
Që nga publikimi i aktgjykimiz, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar edhe Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por ato nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se votojnë për kandidatë të caktuar nga LVV-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë argumentuar se nuk kanë votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje politike.
LVV-ja në seancat paraprake – para aktgjykimit të fundit të Kushtetueses – kishte insistuar në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. Tani kjo parti thotë se pas dështimit që Gërvalla dhe Murati të zgjidhen në drejtimin e Kuvendit, argumenti i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, se Haxhiu nuk është person i papërshtatshëm për këtë post, nuk qëndron. LVV-ja akuzon partitë e tjera për bllokim të krijimit të institucioneve.
Por, partitë e tjera thonë se tani LVV-ja po propozon emra që e di se nuk kanë votë për t’u zgjedhur kryeparlamentar. AAK-ja ka kërkuar të dijë emrin e kandidatit të LVV-së, para se ai të propozohet, por nuk gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.