21.6 C
Tetovo
E martë, 5 Gusht, 2025
BallinaLajmeVazhdojnë hetimet për thirrjet antishqiptare në Kumanovë/ Udhëheqësit e tifo grupit “Kumani”...

Vazhdojnë hetimet për thirrjet antishqiptare në Kumanovë/ Udhëheqësit e tifo grupit “Kumani” mohojnë fajin

Autoritetet policore janë duke vazhduar me mbledhjen e provave lidhur me thirrjet antishqiptare të 2 gushtit në sallën e sportit në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes reprezentacionit të Maqedonisë dhe Rumanisë. Sipas informacioneve të Alsat, Policia ka ftuar në bisedë informative personat që janë identifikuar nga kamerat e sigurisë, duke bërë thirrje ksenofobe në prani të kreut shtetëror.

Mes të ftuarve, sipas Alsat, janë edhe dy udhëheqës joformal të grupit të tifozëve “Kumani”, të cilët dyshohet se kanë udhëhequr “korin” me fjalë ofenduese. Megjithatë, gjatë bisedës personat janë distancuar nga ngjarja dhe e kanë injoruar incidentin.

Policia ndërkohë vazhdon të kontrollojë kamerat e sigurisë nga salla sportive, ndërsa për tërë ngjarjen janë në kontakt me Prokurorinë.

Nga Prokuroria për Alsat, theksojnë se ende Ministria e Punëve të Brendshme po vepron për rastin, ndërsa sapo të ketë denoncim do të informojë për procedurën e mëtutjeshme.

Ndërkohë, Federata Botërore e Basketbollit (FIBA) ashpër e ka dënuar incidentin, duke njoftuar se kanë filluar hetim.

“Në këtë fazë mbledhim raporte relevante dhe deklarata në bashkëpunim të ngushtë me federatat e përfshira nacionale, por edhe me autoritetet lokale dhe organet e zbatimit të ligjit. FIBA pa rezervë dhe ashpër e dënon gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën diskriminuese dhe raciste në çfarëdolloj forme”, njoftojnë nga Federata Botërore e Basketbollit.

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski premtoi se rasti me gjuhën e urrejtjes do të ndëshkohet, ndërsa bëri thirrje që të mos keqpërdoret për qëllime politike. Sipas Kodit Penal, për thirrje të këtilla që nxisin intolerancë kombëtare, parashikohet dënim me para, por edhe me burg. Ndër vite, Maqedonia e Veriut ka qenë vatër e gjuhës së urrejtjes dhe incidenteve ndëretnike, por pavarësisht se rastet e tilla fatkeqësisht jo rrallë herë kanë përfunduar edhe me krime nga urrejtja, institucionet e drejtësisë thuajse fare nuk i kanë ndëshkuar autorët. Kjo dëshmohet edhe me të dhënat zyrtare, ku prej vitit 2014 deri në vitin 2018, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona për gjuhë të urrejtjes, edhe atë jo me burg, por vetëm me para. /Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments