21.9 C
Tetovo
E enjte, 5 Qershor, 2025
BallinaLajmeVazhdoi protesta e personelit mjekësor në Tetovë për rroga dhe vendime, thonë...

Vazhdoi protesta e personelit mjekësor në Tetovë për rroga dhe vendime, thonë se janë kërcënuar 

Ka vazhduar edhe sot protesta e punonjësve shëndetësor të Spitalit të Tetovës për zgjidhjen e statusit të tyre të punës, pasi janë pa rroga dhe me vite kanë punuar me kontrata dhe pa vendime. Në protestën e sotme numri i protestuesve ishte më i vogël, ata thonë se përballen me kërcënime. Ndërkaq nga Spitali thonë se nuk varret nga ata zgjidhja por nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, ndërkaq Qeveria hesht.Ndonëse bëhet fjalë për rreth 140 punonjës shëndetësorë, në protestën e sotme numri i tyre ishte më i vogël.

Motrat medicinale që protestuan thanë se kanë pranuar kërcënime që mos të dalin në protestë

“Përgjigje nuk kemi ende, presim, prandaj edhe sot kemi dalë në protesta. Vendin e punës nuk e lëmë por as protestat nuk i ndalim, do vazhdojmë deri sa të kemi një përgjigje të paktën ta dimë nga të shkojmë”, tha një protestuese

Ata kanë në plan edhe bojkotin dhe protesta para Ministrisë së Shëndetësisë. 

“Motoja për protestën e sotme është: Le të na mbajnë që mos të na qajnë”, tha një protestuese. Ngjashëm si dje, drejtori i Spitalit të Tetovës Agim Berisha nuk doli të flet para mediave.

Ai autorizoi kryeinfermieren Dita Zaimin të flet në emër të tij. 

“Nuk është një gjë që varret nga ne, kjo situatë nuk është vetëm në Tetovë, është në mbarë shtetin. Presim zgjidhje të përhershme, jo afatshkurtër…Besoj se do të realizohet, ne edhe sot si çdo ditë do t’i përcjellim kërkesat në ministri. Janë probleme të trashëguara prej më parë, shprehim gatishmëri dhe vullnet për të zgjidhur problemin e tyre. Puna e konkursit dhe vendimeve është në nivel më të lartë. Ne çdo ditë kemi qenë në pritje të vendimeve dhe konkursit por ajo nuk u realizua. Tani presim me zgjidhjen e ministrit të ri”, tha Zaimi

Ndërkaq, nga Sindikata e Pavarur Mjekësore e Maqedonisë thonë se janë nga janë duke bërë presion të vazhdueshëm. Goran Ristevski nga kjo sindikatë tha se shumë shpejtë do të dalin në përkrahje bashkë me të punësuarit, por potencuan se problemi i njëjtë është në të gjitha spitalet e vendit. 

“Bëjmë presion çdo ditë tek drejtorët, se përfaqësuesi ynë është drejtori. Drejtori duhet të kërkojë mjete që ta rregullojë statusin e tyre. Është ai që na paguan rrogat e mbetura. Ministri nuk është punëdhënësi por drejtori i ISHP. A është Spital Klinik , Spital i Përgjithshëm ose Shtëpi e Shëndetit, neve na interesojnë drejtorët, ndërsa ai më pas se ku do i kërkojë paratë neve nuk na intereson, ne paratë i kërkojmë për ata që është punuar”, tha Ristevski

Për këtë problem kontaktuam edhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, mirëpo nga ky institucion nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi. 

Ndërkaq dje Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës kërkoi që Qeveria të thërrasë seancë urgjente me pikë të vetme në rend dite: punësimi emergjent me vendime të rregullta i të gjithë personelit të mesëm shëndetësor.

    Kujtojmë që drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha javën e kaluar theksoi se ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij muaji dhe se kjo çështje varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave.

    “E drejta e tyre për protestë është e drejtë demokratike, por si grup është dashur të më njoftojnë. Unë pres brenda muajit të ardhshëm të zgjidhet kjo çështje”, tha Berisha më 30 maj.

    Ndërkaq lidhur me situatën e punonjësve shëndetësorë në Spitalin e Tetovës, ish ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari javën e kaluar tha se ka kërkuar punësimin e tyre, por se VLEN e ka kundërshtuar.

    “Arsyet pse kam lëshuar këtë Qeveri po bëhen gjithnjë e më shumë të qarta. Një rast i dhimbshëm është ai i motrave medicinale të spitalit të Tetovës të cilat janë pa vendim dhe pa rrogë. I kërkoja me insistim punësimet e tyre por VLEN e kundërshtonte, sepse ata donin punësime partiake”, theksoi Taravari.

    Derisa Taravari ishte ministër, premtoi që deri në fund të vitit 2024 ose fillim të vitit 2025, do të ketë punësime të reja, të cilat nuk u bënë.

    Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”.

    Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa ministër.

    Për shkak të largimit në opozitë, Arben Taravari dha dorëheqje nga ky funksion.

    Për ministër të Shëndetësisë është propozuar Azir Aliu, por që ende nuk është emëruar në këtë funksion.

    RELATED ARTICLES
    - Advertisment -

    Most Popular

    Recent Comments