7.6 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeValbona Toska: TETOVA PARA VENDIMIT!

Valbona Toska: TETOVA PARA VENDIMIT!

Si një vend shumë i rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Tetova gjithnjë ka luajtur një rol domethënës në zhvillimin kulturor, arsimor dhe ekonomik të tyre.

Emri i Tetovës lidhet fort me ideologjinë e Mit’hat Frashërit, me ngritjen e flamurit shqiptar në dhjetorin e vitit 1968 dhe me demonstratat për të drejtat e shqiptarëve që pasuan më pas, me veprimtaritë patriotike shumëdimensionale të banorëve të saj, me themelimin e subjektit të parë politik shqiptar, me themelimin e dy universiteteve, me plejadën e emrave të përveçëm që janë simbol i guximit dhe i qëndresës, i arritjeve në shkencë e në art. Nga Tetova vjen dhe Tetovën e zgjodhi për t’ia dhënë produktet e mendimit të vet të thellë filozofik Arbën Xhaferi, njeriu që ngriti standarde të reja në politikë e që Tetovës i la në trashëgimi Partinë Demokratike Shqiptare për t’u identifikuar me të. Sensi dhe aftësia e njohur e tetovarëve për biznes, tetovarët i bën partnerë të respektuar tashmë në qarqe botërore. Të gjitha këto, e jo vetëm numri i madh i votuesve, Tetovën pa dyshim e kanë shndërruar në një busull që me saktësi tregon drejtimin e vullnetit politik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Kurse ky vullnet gati dy dekada është zaptuar nga ata që më së paku treguan brengë e kujdes pikërisht për tetovarët. Edhe të gjitha subjektet e tjera, liderët e të cilëve vijnë nga qytete e zona të tjera, oreksin për vota e orientojnë pikërisht nga Tetova. Por edhe ato, kur vjen çështja e shprehjes së përcaktimit të peshës përkatëse të votuesit, parapëlqejnë që shpërblimet t’i rezervojnë për vendet prej nga i kanë liderët. Në një situatë të këtillë, nuk ka si të mos reflektojmë dhe si të mos mendojmë rreth këtij fenomeni. Pesha e votës pa dyshim që është e njëjtë dhe e barabartë dhe i tillë duhet të jetë edhe respekti, përkatësisht mirënjohja e shprehur me përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të votuesve. Vardisja pas votës së tetovarëve nga ana e të gjithëve vetëm për të siguruar numrin e votave dhe jo për të përfaqësuar e mbrojtur interesin e tetovarëve, është diçka që duhet pasur në konsideratë edhe në ditën e votimit.

Nga ana tjetër, duke parë ofertat e këtyre zgjedhjeve, vetvetiu vihemi para opsioneve dhe pyetjeve kujt duhet besuar udhëheqjen tonë: Atyre që në emër të idealit të luftës, për vite të tëra demonstrojnë në praktikë se ideal të vetëm kanë përfitimet personale dhe manipulimin që bëjnë lidhur me avancimin e të drejtave të shqiptarëve? Atyre që u shkrinë në një subjekt joshqiptar e që ofrojnë iluzionin e bashkim-vëllazërimit të paketuar në një diskurs modern, por që në fakt na e ofrojnë po atë rrëfim të vjetër, të parë e të dështuar? Atyre, të cilëve ambiciet për reforma u përfunduan në bashkëpunime (transparente e sekrete) me promotorë të ideologjive që bien ndesh me interesin tonë kombëtar e me subjekte për të cilat deklarojnë se i kanë kundërshtarë? Apo, është koha që aspiratat tona përfundimisht të sigurojnë një mbështetës dhe një aleat të vërtetë, një subjekt që sinqerisht do, din dhe mund t’i dalë për zot të drejtave dhe mirëqenies sonë?

Përgjigjen më të drejtë të këtyre pyetjeve do ta gjejmë në qoftë se i referohemi empirizmit. Tetovarët, por edhe të gjithë të tjerët, nuk duhet të harrojnë se cila parti qëndron në themele të shëndosha kombëtare, ka platformë origjinale dhe të peshuar, që, kur i është dhënë mundësia, ka demonstruar se sa e çmon përkrahjen e qytetarëve. Në krye të saj qëndron një tetovar që jo rrallë herë është akuzuar se ka favorizuar Tetovën, kurse po të shihni me kujdes, do të kuptoni se kjo parti barazinë e ka një nga kriteret themelore të veprimit. Përfaqësimi në këtë parti pasqyron përfshirjen proporcionale në bazë të qytetit, rajonit, profesionit, gjinisë deri në përkujdesjen për baraspeshën krahinore gegë-toskë. Është Partia Demokratike Shqiptare ajo që ka dëshmuar se ka vizionin e qartë, kompetencën dhe aftësinë e sprovuar për të qëndruar krah popullit të vet. Mobilizimi i PDSH-së për të ofruar zgjidhjet më racionale dhe më të dobishme për qytetarët gjatë krizës më të re të shkaktuar nga virusi Korona, vetëm e vërtetoi këtë pohim. Tetovarët dhe banorët e Pollogut e panë vetë kush u qëndroi pranë dhe kush ndërtoi e ofroi strategji për mbrojtjen e shëndetit, të ekonomisë dhe të qetësisë psikike të tyre.

Prandaj përcaktimi i tetovarëve duhet të pasqyrojë barometrin e vetëdijes së qytetarëve për përfaqësimin e denjë. Të zgjedhësh PDSH-në do të thotë të bashkosh veten me atë që jetëson interesin tënd me dinjitet e nder. Të ndodhur para vendimit, tetovarët, ashtu si edhe të gjithë shqiptarët e tjerë, në këto zgjedhje vetëm duhet të bëjnë dallimin mes së mirës dhe së keqes. Ky është parimi i vetëm që s’të lë të gabosh. Është kaq e lehtë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments