Italia po përballet prej më shumë se një jave me një valë të rrezikshme të nxehti, që ka shkaktuar të paktën 18 viktima në mbarë vendin.Shumica e atyre që kanë humbur jetën ishin punonjës që kryenin detyra fizike në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës. Temperaturat ekstreme kanë vënë nën presion të madh edhe spitalet, ku shumica e të shtruarve janë të moshuar që vuajnë nga dehidratimi dhe goditjet e të nxehtit.
Meteorologët paralajmërojnë se këto fenomene nuk janë më të përkohshme, por një realitet i ri i lidhur me ndryshimet klimatike. “Roma dhe Parisi tashmë përjetojnë të njëjtat kushte klimaterike si Tunizia në verë,” thonë ekspertët, duke kërkuar masa të përhershme dhe strukturore për të mbrojtur qytetarët.Autoritetet italiane kanë nisur zbatimin e masave emergjente për të parandaluar viktima të tjera. Në disa rajone si Roma, Milano, Torino, Veneto dhe të tjera, është ndaluar puna në ambiente të hapura nga ora 12:30 deri në 16:30 në ditët kur shpallet alarmi i kuq për temperaturat.
Megjithatë, kjo masë nuk vlen për sektorin publik, ku vazhdon të mungojë kontrolli dhe ndërgjegjësimi i plotë. Një ngjarje tragjike ndodhi dje në qytetin e Frosinone, ku një punëtor humbi jetën teksa po vendoste fibra optike në rrugë. Ai pësoi një atak kardiak në mes të vapës. Po në të njëjtën zonë, një shofer kamioni humbi ndjenjat dhe u rrëzua pranë pikës së pagesës në autostradë. Edhe ai nuk arriti të mbijetonte.
Temperaturat brenda kabinave të kamionëve janë kthyer në “furrë” për shoferët, ndërsa situata është po aq alarmante edhe në burgje. Shumica e institucioneve nuk kanë ajër të kondicionuar dhe as ventilatorë, duke e bërë të papërballueshme ditën për të burgosurit në qeli të mbipopulluara.
Probleme të mëdha janë shfaqur edhe në sektorin industrial, sidomos në industrinë metalurgjike, ku në disa fabrika temperatura ka kaluar 40 gradë. Më shumë se 20 punëtorë janë larguar nga vendi i punës për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Për fat të mirë, parashikimet e motit thonë se nga nesër pritet një rënie e lehtë e temperaturave, por ekspertët paralajmërojnë se valë të ngjashme të të nxehtit do të përsëriten gjatë gjithë verës.
Top Channel