Në lidhje me publiket e fundit për shkurtimin e buxhetit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e Kampusit Universitar të Universitetit “Nënë Tereza”, sot kanë reaguar nga ky universitet.
“Kampusi është një projekt shumë me rëndësi për UNT, madhor dhe shumëvjeçar për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, i cili, si çdo investim kapital i rëndësishëm, realizohet me faza të mirëstrukturuara. Buxheti vjetor mbulon vetëm fazën e punimeve që zhvillohet gjatë atij viti dhe jo shumën e përgjithshme të parashikuar deri në përfundimin e projektit”, sqaruan nga UNT-ja.
Ata theksojnë se projekti nuk është anuluar, ndërsa kërkojnë nga qytetarët mos të bien pre e keqinformimit që të mos dëmtohet reputacioni i universitetit.
“Sqarojmë se projekti nuk është anuluar, nuk është ndërprerë dhe se kemi marrë konfirmim zyrtar se fondet do të alokohen në disa faza, në përputhje me dinamikën e realizimit dhe me ndarjet buxhetore vjetore”, deklarojnë nga universiteti.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 16 shtatorit miratoi vendimin që parcela e cila më parë i takonte kazermës së Armatës, t’i bartet në pronësi të përhershme Universitetit “Nënë Tereza”. Me këtë do të hapet dhe rruga për dhënien e lejes për ndërtim të kampusit të këtij Universiteti. Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, kishte premtuar 40 milionë euro investime për kampusin e ri universitar, por ky buxhet nuk figuron në propozim-buxhetin e vitit 2026-të.
