12.1 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeUniversiteti i Tetovës organizoi akademi përkujtimore për Rafi Halilin – simbolin emblematik...

Universiteti i Tetovës organizoi akademi përkujtimore për Rafi Halilin – simbolin emblematik të kauzës sonë kombëtare

Universiteti i Tetovës, sot me një akademi e ka përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e Rafi Halilit, simbolit emblematik të kauzës sonë kombëtare. Fillimisht me një minutë heshtje të pranishmit e nderuan veprimtarinë e heroit të pavdekshëm Rafi Halilit që kishte bërë ndër vite për çështjen kombëtare.

Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se organizimi i kësaj akademie në ambientet e Universitetit tonë besojmë të shërbejë si një pikënisje e shlyerjes së detyrimeve tona kombëtare ndaj personaliteteve më të shquara të nivelit të Rafi Halilit e Mehmet Gegës dhe simboleve të tjera të rezistencës kombëtare dhe sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, të vizionarëve e qytetarëve fisnikë që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre e vendosën në shërbim të idealeve të mëdha për liri dhe avancim të proceseve. “Rafi Halili personifikon intelektualin dhe simbolin e qëndresës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, kundër politikës diskriminuese dhe gjenocidale të ish-sistemit ndaj kombit shqiptar. Ai ishte një personalitet i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore. Figura e Rafi Halilit është një figurë mjaft komplekse që duhet studiuar edhe nga këndvështrimi shkencor. Roli dhe rëndësia e tij është përjetësuar në historinë më të re të popullit shqiptar. Vepra dhe autoriteti monumental i Tij kanë në themele dashurinë për atdheun dhe bashkimin kombëtar, gatishmërinë për t’u flijuar dhe përpjekjet titanike për liri. Për të gjitha këto dhe shumë vlera të tjera, Rafi Halili gëzon respekt të përhershëm nga të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë, duke e radhitur atë në mesin e personaliteteve të shquara të kombit, gjurmët e së cilit do të mbesin në histori. Personaliteti, sakrifica dhe veprat e tij meritojnë respektin më të lartë. Jam i bindur se në të ardhmen institucionet arsimore – shkencore do ta kryejnë detyrën e tyre, duke e studiuar në tërësi veprimtarinë e tij patriotike, qëndresën stoike përballë politikës hegjemoniste diktatoriale dhe rolin e jashtëzakonshëm, lirinë dhe demokracinë që sot të gjithë i gëzojmë. Ne sot, përtej organizimit të kësaj akademie përkujtimore, përulemi me nderim para veprës së Rafi Halilit dhe para vuajtjeve të të burgosurve shqiptarë, ndaj të gjithëve u shprehim nga zemra mirënjohjen e përjetshme dhe falënderimin e thellë për vendosmërinë dhe misionin titanik në shërbim të avancimit të kauzës sonë kombëtare” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Referatin kryesor për veprimtarinë historike të Rafi Halilit e lexoi historiani Prof. Dr. Zeqirja Idrizi. Sipas tij, pishtarët si Rafi Halili bënin historinë e rezistencës, i cili do të thoshte: “Unë jam Rafi Halili, më lindi toka Shqipëri”, në një kohë të pa kohë. “Rafi Halili lindi më 11 tetor 1950 në fshatin Gajre të Tetovës, u rrit në një familje fisnike, ishte i zgjuar, i zhdërvjelltë dhe kureshtar për gjithçka që e rrethonte. Shkollimin katërvjeçar e mbaroi në fshatin e lindjes, ndërsa tetëvjeçaren në SHF “Liria” të Tetovës, ku tregoi zgjuarsi të jashtëzakonshme. Atdhedashurinë e mori nga Bajram Veliu, në odën e burrave ku dëgjonte me vëmendje bisedat e të moshuarve dhe kështu mësoi për historinë e ilirëve, Skënderbeun e për shumë patriotë të tjerë, atdhetarë dhe kombëtarë. Kureshtja e tij shtohej për çdo ditë, kështu u mbush shpirti i tij me patriotizëm e atdhedashuri, ndërsa figura e Skënderbeut u bë idhulli i tij. Rafi Halili ishte me trup mesatar por kishte zemër luani, gjatë gjithë kohës bluante në mendje se si ka mundësi shqiptarët edhe pse janë autoktonë në këto troje të jenë aq të shtypur, diskriminuar e të persekutuar. Shpesh pyeste veten, përse në shkollë nuk mësojmë për historinë e lavdishme të kombit tonë. Të gjitha këto pyetje bënë që si i ri shpirt vigan të fillonte të aktivizohej që ta ndryshoj këtë realitet të hidhur. Rafi Halili e kishte idenë se si dukej Flamuri kombëtar, flamuri i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, për të cilin flamur ai digjej nga brenda” – u shpreh ndër të tjera Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.
Ndërsa studiuesja dhe gazetarja Mr.Sc. Rudina Zeqiri e lexoi referatin kushtuar jetës dhe veprës së Rafi Halilit, marrë nga libri i saj “Format specifike të komunikimit te organizatave të fshehta shqiptare gjatë monizmit jugosllav”. Ajo tha se Rafi Halili ishte stoik në veprimtari, në burgje e në jetë. “Rafi Halili ishte stoik në veprimtari, në burgje e në jetë. Të flasësh për figurën morale, luftarake e humanitare të Rafiut është një kapitull më vete i jetës së tij të bujshme. Ndjehem e privilegjuar që pata fatin ta njihja nga afër këtë personalitet të shquar e figurë markante të lirisë së kombit tonë, këtë luftëtar të paepur me karakter të fortë dhe energji të pashtershme luftarake, burrë të vendosur e të pathyeshëm, me dashurinë e flaktë e të pashuar për popullin e vet, me qëndrimin krenar në çdo situatë, por edhe modestinë dhe kujdesin për të tjerët, në radhë të parë për bashkëveprimtarët e vet. Rafiu ishte bashkëshort, baba, gjysh e vëlla i përkushtuar dhe shumë i dashur. Ishte fjalëpak, por kur fliste qëllonte në shenjë, fjalët i zinin vend, në log burrash e në auditorë, në libra e para mikrofonit e kamerave. Idetë e Rafiut rridhnin si ujët e Radikës, herë qetë e herë me rrëmbim përmbytës, varësisht nga situatat, nga çasti dhe motivi. Ky personalitet i përvojës së gjatë me veprimtarinë çlirimtare, me bagazh teorik dhe praktik, me zemrën që rrihte për atdheun dhe lirinë e tij, do studiuar dhe njohur gjithanshëm, në tërë dimensionin kompleks të tij. Është për keqardhje fakti që idetë e pikëpamjet e Rafiut për jetën e luftën, për lirinë e veprimtarinë, për politikën e të ardhmen e kombit nuk janë shënuar në tërësi, prandaj i mori me vete në varr”, theksoi mes tjerash Rudina Zeqiri.

Akademia e sotme përkujtimore është përshëndetur edhe nga personalitete të njohura nga jeta publike, ndër ta edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili ndër të tjera shprehej: “Lamtumirë Kushtrimtari i pavdekshëm i Lirisë! Të dashur bashkëfamiliarë, shokë e miq, bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës dhe bashkëluftëtarë, të atdhetarit të rrallë dhe Heroit të gjallë e të pavdekshëm, Rafi Halili, lajmi për ndarjen nga jeta e të birit, vëllait, prindit, shokut të idealit, të vuajtjes dhe luftës çlirimtare, Rafi Halilit, ndonëse nuk ishte i papritshëm, na ka goditur thellë, siç i ka tronditur edhe të gjithë ata që e kanë njohur apo kanë lexuar e dëgjuar për veprën kolosale të tij, zor të krahasueshme atdhetare, çlirimtare, emancipuese e progresiste… Rafi Halili, dhe plejada e tij e lavdishme, ishin sytha dhe filiza të brezit atdhetarë e prijatarë të Mehmet Gegë Murtezanit dhe veprimtarëve të shumtë, para dhe pas tij. Të rebeluar dhe të arrestuar qysh si gjimnazist, Rafiu me shokë shfaqen si lajmëtarë dhe prijetarë të gufimit të Nëntorit Pranveror ‘68, duke u shndërruar shumë shpejt në protagonistë të Lëvizjes që lëvizi historinë dhe, në këtë vazhdë, duke u kthyer në katalizator përbashkues të Brezave pararendës me brezin e ri pasues, Pranverës shqiptare ‘81 dhe vazhdimësinë e saj deri në luftën e ushtrive tona çlirimtare. As tri burgjet e njëpasnjëshme, as mundimet dhe torturat mizore, as kërcënimet dhe shantazhet dhe as joshjet dhe ofertat nuk e mposhtën Rafiun. Përkundrazi, bashkë me Rexhep Malën e Isa Kastratin me shokë të tjerë, ata e kthyen edhe burgun në farkë atdhetarie, arenë përbashkimi, qëndresë lufte e veprimtarie atdhetare, brenda dhe jashtë burgjeve… Emri i organizatës së themeluar, me të dalë nga burgu i dytë, nga Rafiu me shokë, “Kushtrimi i Lirisë” shpërfaq më së miri vizionin dhe synimet e Rafiut dhe brezit të tij kryengritës. Rafi Halili ishte kushtrimi i ardhmërisë atdhetare e çlirimtare, në Tetovë e rrethinë, në njërën nga viset më të shtypura e më të persekutuara të trojeve shqiptare… Rafi Halili qëndroi kushtrim i përjetshëm lirie, i palodhshëm, i pandalshëm, i pamposhtshëm dhe i patëhuajsuar e i patjetërsueshëm”, shprehej Albin Kurti.

Po ashtu, në pamundësi për të qenë prezent në këtë akademi përkujtimore u lexua edhe një telegram përshëndetës nga Fazli Veliu, kryetar i Shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së. “Veprimtari i shquar i çështjes sonë, ngadhënjyes mbi ndjekës dhe antishqiptarë, Rafi Halili – Tetova. Njëri nga veprimtarët dhe kundërvënësit, një kundër të gjithëve në shtetrrethimet e hekurta të regjimeve pas Luftës së Dytë Botërore në Malësinë e Tetovës, fushën e Pollogut, qe Rafi Halili i ri – trim i pamposhtur! Pas ngjarjeve të tmerrshme të cilat i provoi Sadudin Gjura, në brigjet e Sharrit, si dhe të atyre që provoi Rexhep Malaj në burgun e Idrizovës, nuk kishte shteg tjetër për trimin e Tetovës Rafi Halili, përveç çarjes së bllokadës, me mjete vetëmbrojtëse shtëpiake. Duke qenë i vetëdijshëm se çdo zmbrapsje do të ishte fatale për Familjen e Tij dhe shokëve të idealit, ai zgjodhi betimin: Liri, a vdekje. Në kulmin e guximit, pasoi plagosja së pari nga UDB-shët, pastaj nga forcat policore dhe ushtarake (veshur si policë), pas rrëkeve te gjakut, pasoi zvarritja, si në kohët më të errëta të botës së egërsuar. Në këtë mënyrë, sulmuesit vrisnin ëndrrën për Vendin Amë, shkaktonin tmerrin, që të tjerët mos veprojnë si Ai, por të dorëzoheshin, si të padëshirueshëm të popullit e shtetit, të rolit të njerkës. Ky vigan i Malësisë së Tetovës, që dallohej për trimëri, theu mitin e pathyeshmërisë të policisë dhe ushtrisë Jugosllave. Guximi i Tij u përhap në mbarë hapësirën ku bukës i thonë bukë, e ujit ujë, duke u dhënë forcën e re të Anteut të ri, për t’u kundërvënë ndaj barbarisë me duar e gjokse djaloshare, deri në shkallën Kombëtare, që më vonë, në burgje, mërgim, me grushte revolucionare të mposhtin Perandorinë Jugosllave” – shkruan Fazli Veliu.

Mbledhjes Përkujtimore kushtuar veprimtarit të shquar Rafi Halili, me rastin e ndarjes së tij nga jeta, rëndësi të posaçme i kushtoi edhe Mehmet Hajrizi, Udhëheqës i Lëvizjes kombëtare qysh në vitet e 70-ta, i cili për arsye objektive nuk arriti që të ishte i pranishëm në këtë akademi. Ai, në telegramin e tij thotë: “Duke falënderuar me mirënjohje të thellë Rektoratin e Universitetit të Tetovës për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore, në nderim të veprimtarit të pareshtur të çështjes kombëtare, Rafi Halili, i cili më 28 janar u nda nga jeta, dua t’ju shpreh ngushëllimet e zemrës familjes së tij të dashur, bashkëshortes së Rafiut, motrës dhe bijave e birit të tij, si dhe organizatorëve e të pranishmëve, miqve të shumtë dhe bashkëveprimtarëve. Rafi Halili ishte dhe mbetet personalitet i shquar i përmasave kombëtare. Duke shpërthyer që herët dimensionin lokal e krahinor, emri dhe veprimtaria atdhetare e Rafi Halilit përbëjnë njërën nga unazat e shtyllës kurrizore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përgjithësisht. Prandaj, Rafiu nuk ishte vetëm juaji, as yni bashkë, por i kombit shqiptar që u përket të gjithë brezave të tij. Historiografia shqiptare do të flasë për këtë burrë të madh, si një nga gurët e themeleve të lirisë sonë kombëtare. I përjetshëm do të jetë kujtimi për Rafiun tonë të shtrenjtë” – kështu e përfundon telegramin e tij Mehmet Hajrizi.

Në këtë Akademi përkujtimore, përveç referateve qendrore dhe telegrameve nga shumë personalitete të kombit tonë nuk munguan as shokët e idealit të Rafi Halilit nga të gjitha trevat shqiptare. Ata evokuan kujtime nga e kaluara e tyre e përbashkët për kauzën kombëtare. Kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politikë në RMV, Shpëtim Pollozhani, duke folur për veprimtarinë e Rafi Halilit u shpreh se një luftëtar pa një logjistikë të shëndoshë nuk mund të qëndrojë në këmbë shumë gjatë dhe logjistika e Rafi Halilit ishte populli shqiptar. “Dua të përmend nënën dhe babën e tij të ndjerë, motrën dhe bashkëshorten, që të gjithë ata kontribuuan që Rafiu të jetë ai që e njohim. Nuk e kam thënë kot, heronjtë nuk lindin, ata bëhen. Rafiu shtatë herë u konfrontua me UDB-në famëkeqe dhe kuislingët e saj, shtatë herë ishte në situatë që të sakrifikohet, por ja që nuk e deshi vdekja, shtatë herë ishte buzë varrit por vetëm besimi në idenë udhëheqëse, idealin e tij e mbante gjallë”, pohoi Shpëtim Pollozhani.
Ndërsa bashkëveprimtari i Rafi Halilit, Bejtulla Ademi u shpreh se sakrifica dhe përpjekjet për liri të shqiptarëve nuk kanë reshtur asnjëherë. “Unë nuk do të shkoj shumë larg në histori. Nga viti 68 e këndej ne shohim një rizgjim të shqiptarëve, një rizgjim të cilin unë e kuptoj kështu, se vjen duke u kristalizuar ideja se ne duhet të organizohemi politikisht, jashtë kthetrave të partisë së shtetit. Në këtë drejtim, Rafiu ka qenë prijëtar, sepse ai e kuptoi më mirë se çdonjëri, se ne duhet të organizohemi politikisht dhe themeloi organizatën “Kushtrimi i Lirisë” ku u bashkëngjitën me qindra të rinj e të reja”, nënvizoi Bejtulla Ademi.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Republikës së Kosovës, Hydajet Hyseni evokoi kujtime nga e kaluar e ndritur e Rafi Halilit, që lidhen ngushtë me dajën e tij, të cilin Rafiu e kishte bashkudhëtar të idealit. “Na ka bashkuar sonte Rafi Halili në një mënyrë të veçantë. Na ka bashkuar me dhembje e krenari, me dhembje e porosi. Kjo fotografi ndoshta e shpreh në mënyrë më të mirë dhe të veçantë këtë dyzim. Ajo fytyrë e shumëvuajtur flet shumë, flet në një mënyrë për të kaluarën e tij. Por, ai shtrëngim i flamurit tregon krenarinë dhe rrezaton porosinë. Kësaj radhe do të përpiqem të shpalos vetëm ndonjë evokim. Unë e kam njohur Rafiun, para se ta takoj. E kam njohur nëpërmjet rrëfimeve të dajës tim të dashur, që për mua ishte gjithçka. Edhe tani më vijnë rrëfimet e dajës tim, të grupit, të plejadës së brezit të Rafiut, në burgut të Idrizovës e Shutkës, me torturat shtazarake që mbesin heroike bashkë me përpjekjet për t’i shëruar këto plagë”, deklaroi Hydajet Hyseni.

Sipas bashkëveprimtarit Elmaz Ademi, Rafi Halili gjatë shkollimit të tij në Gjimnazin e Tetovës për herë të parë paraqitet me një rebelizëm spontan që burimin e kishte në shpirtin e tij nacional. “Si student në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ai u ballafaqua me literatura profesionale ku shqyrtoheshin liritë dhe të drejtat e popujve për vetëvendosje. Kjo literaturë ndikoi shumë në ngritjen e tij si intelektual si dhe në ngritjen e vetëdijes nacionale e cila e shtyu drejt kërkimit të një rebelimi të organizuar. Dhe, siç u tha edhe më herët, në vitin 1972 në Prishtinë ai themeloi organizatën “Kushtrimi i Lirisë”, e cila gjatë kohës do ta marrë karakterin e organizatës mbarëkombëtare. Si intelektual i përkryer dhe si vizionar i përsosur, elemente këto që ndikuan te Rafiu të formohet një ideal me fuqi shteti”, potencoi Elmaz Ademi.

Në emër të familjes së Rafi Halilit, në këtë akademi përkujtimore, pjesëmarrësve në auditor, të cilët kishin ardhur për të nderuar dhe respektuar figurën e Rafi Halilit, me fjalë falënderimi iu drejtua i biri i tij, Shqipodëshmor Halili. “Unë doja të them vetëm disa fjalë pasi këtu e kam ditarin e babait. Nga ajo që kemi pasur mundësi të shpëtojmë, janë disa kujtime të tij, por, pasi deri tani u fol shumë, do të jem shumë i shkurtë. Zonja dhe zotërinj, ai kishte dy dëshira edhe i cek shumë shpesh këtu: të fitojmë lirinë dhe ta duam Shqipërinë. Babai ka qenë shumë këmbëngulës dhe i pakompromis në idealin e tij. Ai nuk dyshonte që betejat do të jenë të humbura herë pas here por lufta vazhdon dhe thoshte shpesh kur t’i bije tavolinës këtu të dëgjohet në fundin e dhomës atje, por sikurse nuk dëgjohet njëherë, mëshoj më shumë. Në kujtimet e tij, ai shkruan që shtëpia pa shtylla shembet ende pa e përfunduar. Ai përcaktonte shtyllat si kultura apo gjuha si mburojë e kulturës, identitetin bashkë me zakonet e traditat e asaj që i japin kuptim të qenët komb dhe ata po na mohohen. Së pari duhet luftuar metastazat në shoqërinë shqiptare thoshte Rafiu. Edhe atëherë kur bie në gjumë letargjik. Fatmirësisht, historia e kombit tonë të dashur na mëson që ilaçi është i shkruar në kodin tonë gjenetik dhe na shëron vetëm kur e duam ne. Këta ishin disa kujtime nga babai, janë marrë shkurtimisht, por unë doja të thosha edhe njëherë pasi që babai ka qenë i kombit shqiptarë jo vetëm i imi, kurse babai, nëna dhe gjithçka ka qenë nëna ime këtu, që ende është dhe jeton me ne. Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen”, tha Shqipodëshmor Halili, djali i Rafi Halilit.

Në këtë akademi përkujtimore, ku të pranishëm ishin shumë personalitete, veprimtarë të çështjes kombëtare, organizatorë dhe pjesëmarrës në demonstrata dhe veprimtari të organizuara ndër vite për çështjen tonë kombëtare, nuk munguan as fjalët për vuajtjet dhe maltretimet që ka përjetuar familja e atdhetarit Rafi Halili, përfshirë motrën e tij Hyremen, bashkë me gruan e tij dhe fëmijët, Rina e Shqipërikuqja dhe djalin Shqipodëshmorin.
Korifeu i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Rafi Halilii, ndrroi jetë më 28 janar 2022, pas një sëmundje të rëndë dhe vuajtjeve jetësore në shërbim të lirisë. Ai u nda nga jeta qetësisht në familjen e tij në Tetovë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments