22.3 C
Tetovo
E shtunë, 14 Qershor, 2025
BallinaLajmeUniversiteti i Tetovës nderoi Joseph dhe Shirley Cloyes DioGuardi me titullin “Doctor...

Universiteti i Tetovës nderoi Joseph dhe Shirley Cloyes DioGuardi me titullin “Doctor Honoris Causa”

Universiteti i Tetovës ka nderuar sot çiftin e njohur shqiptaro-amerikan, Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, me titullin “Doctor Honoris Causa”, në një ceremoni solemne të mbajtur në ambientet e universitetit,

Ky vlerësim i lartë akademik u akordua në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës, si dhe për angazhimin e tyre të palëkundur për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.

Emrat e çiftit DioGuardi janë të lidhur ngushtë me historinë dhe rrugëtimin e vështirë të UT-së, një histori e shënuar nga përpjekje, mund, sakrifica dhe qëndresë, që sot njihet si një nga kapitujt më të veçantë të arsimit të lartë shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ceremonisë së ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa”, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, vlerësoi lartë kontributin e çmuar të ish-kongresistit arbëresh Joseph DioGuardi dhe të zonjës Shirley Cloyes DioGuardi.

Ai theksoi se angazhimi i tyre i palodhur për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe mbështetja e dhënë për Universitetin e Tetovës në periudhat më të vështira përbën një kapitull të veçantë të solidaritetit dhe përkushtimit nga diaspora shqiptaro-amerikane.

“Joseph dhe Shirley DioGuardi janë ndër emrat më të respektuar që kanë qëndruar krah nesh në momente kyçe të historisë sonë. Ata nuk u zmbrapsën asnjëherë nga përpjekjet për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për padrejtësitë që i bëheshin shqiptarëve dhe për të mbështetur aspiratat tona për arsim dhe liri,” u shpreh Rektori Zejneli.

Ai shtoi se ky vlerësim akademik është një shprehje e mirënjohjes institucionale për figurat që me veprën dhe angazhimin e tyre kanë ndihmuar në ndërtimin e themeleve të qëndrueshme të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë ceremonisë solemne të ndarjes së titullit “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tetovës, Joseph dhe Shirley Cloyes DioGuardi evokuan me emocione të thella momentet e angazhimit të tyre dekada më parë në mbështetje të këtij universiteti, në një periudhë kur ai konsiderohej ilegal nga pushteti i atëhershëm maqedonas.

Ata kujtuan përpjekjet pranë administratës amerikane për të ngritur çështjen e Universitetit të Tetovës në instancat më të larta ndërkombëtare, duke theksuar se UT-ja në atë kohë po përjetonte represion, ndalim institucional dhe përpjekje për të mbytur zërin e arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoni.

Joseph DioGuardi, ish-kongresmen dhe udhëheqësi i LQSHA-së theksoi se themelimi i Universitetit të Tetovës ishte një akt i guximshëm që meritonte përkrahje të gjithanshme. Ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi u shpreh se rezistenca e komunitetit shqiptar për të mbajtur gjallë këtë projekt arsimor ishte frymëzuese dhe një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndresës kolektive.

Ata theksuan se prioritet është e ardhmja dhe arsimimi i brezave të rinj për një shoqëri shqiptare më të avancuar dhe më të zhvilluar në hap me botën përparimtare.

Në përfundim të ceremonisë solemne, të pranishmit patën mundësinë të shijojnë një program artistik të përgatitur posaçërisht për këtë ngjarje të veçantë me interpretimin e tenorit Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments