9.3 C
Tetovo
E diel, 9 Mars, 2025
BallinaLajmeBotaUdhëheqësit evropianë zotohen për mbrojtjen e bllokut dhe të Ukrainës

Udhëheqësit evropianë zotohen për mbrojtjen e bllokut dhe të Ukrainës

Në një samit urgjent të mbajtur në Bruksel, liderët e Bashkimit Evropian kanë miratuar një deklaratë zotuese që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen e Ukrainës dhe forcimin e sigurisë evropiane. Samiti u organizua pas zhvillimeve diplomatike të shpejta dhe pezullimit të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, duke theksuar nevojën për angazhim më të madh nga ana e Evropës në mbështetje të shtetit të përfshirë në luftë me Rusinë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë zotuar të enjten në një samit urgjent në Bruksel për ta forcuar mbrojtjen e bllokut dhe për t’u siguruar që Ukraina e sulmuar nga Rusia do të ketë mundësi të mbrohet siç duhet.

27 shtetet kanë miratuar konkluzat në mbrojtje në mënyrë unanime.

“Bashkimi Evropian do të përshpejtojë mobilizimin e instrumenteve dhe financimit të nevojshëm për të forcuar sigurinë e Bashkimit Evropian dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë”, thuhet në deklaratën e publikuar në uebfaqen e Këshillit Evropian.

Gjatë samitit, liderët e BE-së u zotuan se do të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe se do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen pas ndryshimit të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.

Pas mbledhjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se shteti i tij e do paqen, “por në asnjë mënyrë që të heqë dorë nga Ukraina”.

Në një njoftim në “X” ai ka thënë se mirëpret vullnetin e shumë shteteve që të rrisin shpenzimet për mbrojtje.

Tutje, Zelensky ka thënë se i sheh dy hapa të nevojshëm për t’i paraprirë arritjes së paqes së qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë.

Sipas tij, hapi i parë është armëpushimi në ajër dhe në det dhe hapi tjetër lirimi i të burgosurve si mjet për të krijuar besim mes palëve.

Ai ka thënë se duhet të ketë “besim bazik” në negociata, duke e cilësuar hap kyç për këtë marrëveshjen për lirimin e të burgosurve.

“Kjo do të ishte baza e kuptimit se çdo armëpushim apo masë për ndërtim të besimit mund të shërbejë vetëm si prolog për një zgjidhje të plotë dhe të drejtë, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me garanci të sigurisë dhe fund të luftës”, ka thënë Zelensky.

Presidenti ukrainas po ashtu ka thënë se ndihet falënderues për përkrahjen që ka marrë, duke shtuar se vlerëson që “Evropa është duke u përpjekur që ta bëjë gjënë e duhur”.

E në hyrje të Samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se Evropa duhet ta mbrojë veten dhe Ukrainën.

“Evropa përballet me një rrezik të qartë dhe të pranishëm, prandaj Evropa duhet të jetë në gjendje ta mbrojë veten. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Evropën dhe Ukrainën si pjesë e familjes sonë evropiane”, ka theksuar ajo.

Samiti u mbajt në kohën kur SHBA-ja ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka sinjalizuar se Evropa duhet të luajë rol më të madh për sigurinë e saj.  Shpenzimet për mbrojtje sipas planit të udhëheqësve evropianë pritet të rriten për 800 miliardë euro.

Samiti i së enjtes u thirr më 27 shkurt, si përgjigje ndaj zhvillimeve të shpejta diplomatike. Por, prej atëherë, zhvillimet janë përshpejtuar, pas përplasjes në Zyrën Ovale mes presidentit Trump dhe Zelenskyy dhe vendimit të Uashingtonit për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Liderët e shteteve të BE-së gjithashtu mirëpritën rregullat e reja për huamarrjen, të paraqitura nga Banka Evropiane e Investimeve, duke liruar fonde për financimin e projekteve si, kazermat dhe spitalet ushtarake.

Para samitit, letra e Von der Leyenit mori përgjigje pozitive.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se ky është “hapi i parë i rëndësishëm”, ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis postoi në rrjetet sociale në mbështetje duke thënë se “tani duhet të punojmë për t’i shtjelluar hollësitë”.

E një përpjekje e Evropës për t’u përgatitur për skenarin më të keq pa ombrellën amerikane të sigurisë, u hodh poshtë  nga politikanët evropianë.

“Ne nuk duhet të heqim dorë nga SHBA-ja”, ka thënë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, më 4 mars, ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer u tha gazetarëve në konferencën e Londrës gjatë fundjavës se “Unë nuk pranoj që SHBA-ja të jetë aleat i pasigurt”.

Por, fakti se ata po i thonë këto gjëra është vlerësuar si shenjë e shqetësimit të Evropës nga vendimet dhe deklaratat që po vijnë nga Uashingtoni.

Dhe, në prag të samitit, presidenti francez Emmanuel Macron ngriti dyshime të tjera.

“Unë dua të besoj se SHBA-ja do të mbetet përkrah nesh”, u shpreh ai në një fjalim televiziv drejtuar kombit. “Por, ne duhet të jemi të përgatitur nëse kjo nuk ndodh”, ka thënë Macron.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments