Udhëheqësit e G7 kanë dënuar sulmet më të fundit raketore të Rusisë në Ukrainë “në termat më të fortë të mundshëm” dhe u zotuan të kërkojnë llogari nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Ata thanë se “sulmet pa dallim ndaj popullatës së pafajshme civile përbëjnë një krim lufte” në një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkruan BBC, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
G7 dënoi me vendosmëri dhe “pa mëdyshje” hodhi poshtë tentativën e paligjshme të aneksimit të zonave të pushtuara nga Rusia në Ukrainë dhe përsëriti se nuk do ta njohë kurrë këtë “aneksim të paligjshëm ose referendum të rremë që Rusia përdor për ta justifikuar atë”.
G7 tha se do të vazhdojë të vendosë sanksione të mëtejshme ekonomike ndaj Rusisë dhe përsëriti thirrjen e saj ndaj autoriteteve bjelloruse që “të ndalojnë së mundësuari luftën e agresionit rus”.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake, diplomatike dhe ligjore dhe do të qëndrojmë me vendosmëri me Ukrainën për aq kohë sa të duhet”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.