10.4 C
Tetovo
E martë, 25 Mars, 2025
BallinaOpinion“UÇK-ja e solli NATO-n në Kosovë”: Intervista e Hashim Thaçit në vitin...

“UÇK-ja e solli NATO-n në Kosovë”: Intervista e Hashim Thaçit në vitin 1999

26 vjet më parë, bombardimet e NATO-s kishin nisur për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Në këtë kohë vendimtare, delegacioni i Kosovës në Rambuje në krye me drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kishin përshpejtuar intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Në vitin 1999, në një intervistë të dhënë për librin e Joseph Buckley “Kosova – Zëra Konkurrues mbi Ndërhyrjet në Ballkan”, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte folur për fillimet e karrierës së tij politike, rolin e tij mbi themelimin dhe strategjizimin brenda UÇK-së, dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Në hyrje të intervistës, Thaçi pohon përfshirjen e tij në lëvizjen studentore kundër regjimit serb dhe deklaron se pikefillimi i UCK-së daton në vitin 1992.

“Kam qenë një nga aktivistët e lëvizjes studentore, dhe përpiqesha brenda mundësive të mia dhe të shokëve të mi të kundërshtonim regjimin e Millosheviçit në periudhën 1988-89. Më pas, duke parë që as vullneti politik i popullit dhe as e ardhmja politike e Kosovës nuk respektoheshin, dhe duke kuptuar se kishte ardhur koha për rezistencë të armatosur — vendosëm të fillonim themelimin e UÇK-së gjatë verës së vitit 1992. Veprimet konkrete i nisëm në vjeshtën e vitit 1992”.

I pyetur për rolin e tij në themelimin e UÇK-së, ai është përgjigjur:

“Është e vërtetë që kam kontribuar në themelimin e UÇK-së”.

Ndërsa ka folur për strategjinë e luftës, Thaçi ka mbrojtur vendimet e marra nga UÇK-ja, duke theksuar që ajo ishte një organizatë e strukturuar me një vizion të qartë për çlirimin e Kosovës.

“Ne kemi qenë të bindur se strategjia dhe taktikat e UÇK-së ishin më të vërtetat që ka pasur ndonjëherë një organizatë politike dhe ushtarake. UÇK-ja ishte niveli më i lartë i organizuar i rezistencës kundër Serbisë. Në bazë të kësaj, organizata jonë u forcua më shumë: duke punuar sipas parimeve ushtarake dhe politike, ne tërhoqëm shumë njerëz të mirë, të ndershëm, të përgatitur”.

Në lidhje me gabimet e mundshme gjatë luftës, Thaçi ka theksuar se, ndonëse çdo organizatë mund të ketë pasur dobësi, UÇK-ja nuk ka bërë gabim thelbësor.

“Çdo organizatë ka dobësitë e saj, bën gabimet e veta. Megjithatë, nuk besoj se UÇK-ja ka bërë ndonjë gabim thelbësor. Edhe nëse ka pasur gabime, ato kanë qenë rezultat i pamundësisë për të zbatuar objektivat tona për shkak të pengesave të ndryshme që janë krijuar nga faktori vendas dhe ndërkombëtar. Merita më e madhe e UÇK-së ishte vizioni shumë i qartë politik që pati. Kjo bëri të mundur që ajo të fitonte shpejt mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të fuqive kryesore”.

Një nga çështjet e diskutuara në vitin 1997-1998, ka qenë edhe misteri që mbulonte UÇK-në në fillimet e saj dhe hezitimi për të dalë publikisht.

“Misteri nuk ishte problemi. Problemi ishte ilegaliteti i thellë në të cilin ndodheshim në atë kohë; por pikërisht ky ilegalitet na mundësoi të forcoheshim dhe të shmangnim goditjet nga autoritetet serbe. Kjo na ndihmoi të vepronim të padiktuar për një kohë të gjatë dhe të organizoheshim më mirë; dhe na ndihmoi të shtrinim rrjetin tonë jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha qytetet e Kosovës. Sa i përket takimit tonë me zotin Burns, është e vërtetë që kemi folur për çështje të ndryshme politike dhe të sigurisë për Kosovën në raport me faktorin ndërkombëtar; por kjo nuk ishte një pikë kthese për ne, sepse kemi pasur shumë më tepër takime me Shtetet e Bashkuara”.

Më tej, Thaçi ka folur edhe për Konferencën e Rambujesë dhe rolin e tij si udhëheqës i delegacionit kosovar, ku kishte deklaruar se masakra e Reçakut përshpejtoi procesin e thirrjes së konferencës.

“Lidhur me konferencën e Rambujesë, për të cilën është diskutuar shumë më herët: masakra e Reçakut e përshpejtoi procesin e thirrjes së konferencës. Por për këtë konferencë kishte diskutime të shumta më parë, madje edhe të hapura. Pra, konferenca ishte duke u planifikuar. Lidhur me udhëheqjen time të delegacionit të Kosovës, kjo u vendos në Rambuje, dhe ishte një qëndrim unanim i të gjitha forcave politike”.

Në lidhje me vonesën e nënshkrimit të marrëveshjes, ai ka theksuar se nuk ishte vetëm vendimi i tij, por i gjithë delegacionit.

“Ishte një çështje për të cilën diskutuam gjatë. Kishte pika të papërcaktuara, të paqarta, dhe i diskutuam ato. Ky ishte qëndrimi i delegacionit të Kosovës dhe jo vetëm qëndrimi i Thaçit”.

Në vazhdim, u flit edhe për operacionet serbe gjatë luftës dhe shkallën e dhunës së ushtruar ndaj popullsisë shqiptare.

“Sa i përket operacioneve serbe në Kosovë, ne i kishim të gjitha planet dhe detajet e operacioneve që ata po përgatisnin. Ne i paraqitëm këto detaje në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, dhe që nga dita e parë kërkuam një armëpushim ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare, me garanci nga bashkësia ndërkombëtare si palë e tretë. Kërkesa jonë u injorua, ashtu si edhe objektivat serbe për operacione masive. Të gjitha ato plane ishin të shkruara në akademitë ushtarake serbe; ne i kishim ato plane, i kishim studiuar dhe morëm masat tona sipas rrethanave dhe mundësive që kishim”.

Në pyetjen mbi çlirimin e Kosovës dhe rolin e NATO-s, Thaçi kishte dhënë një përgjigje të prerë.

“Kosovën e çliroi UÇK-ja me ndihmën e NATO-s”.

Ai gjithashtu ka kundërshtuar perceptimin e disa qarqeve ndërkombëtare që NATO-ja ishte faktori vendimtar i çlirimit.

“UÇK-ja e solli NATO-n në Kosovë”.

Në fund, ai ka folur për perceptimin e tij si një figurë ekstreme në fillimet e luftës dhe për përceptimin e tij pas luftës.

“Sa i përket ekstremizmit, unë jam i njëjti person që kam qenë para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Lidhur me komunikimin me mediat serbe, unë do të bëj përpjekje (brenda mundësive të mia) për të ndihmuar demokratizimin e Serbisë, edhe nëse kjo përkthehet në deklarata në shtyp dhe në televizion”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments