Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në RMV ka mbetur pa të punësuar. Kjo për shkak të mos vazhdimit të kontratave të punës për 34 valltarët, solistët e instrumentistët e këtij institucioni të kulturës. Po edhe përkundër ndërprerjes së kontratave, disa artistë nuk e ndalën punën. Dje u panë duke performuar në shënimin e ditës së Ilindenit.
Zëvendësministri i kulturës Sadat Sulejmani thotë se është duke punuar për këtë çështje dhe premton se së shpejti problemi do të tejkalohet dhe anëtarët e ansamblit do të rikthehen në vendet e tyre të punës.
“Unë jam duke punuar intensivisht në këtë drejtim dhe nga dita e hënë do e dërgojmë pëlqimin në Ministrinë e Financave, dhe shpresoj që në afat sa më të shkurtër kohor, ta zgjidhim këtë problem. E di që është e rëndë për të punësuarit por megjithatë nuk ka ndodhur diçka që kemi faj ne, sepse kanë pasur mundësinë ta rregullojnë. Jashtë kësaj do mundohem maksimalisht që të punoj në drejtim që të gjithë të punësuarit në Ansambël të punësohen me kontrata pa afat kohor, pra të jenë me vendim të përhershëm”, tha Sadat Sulejmani, zv/ministër i Kulturës.
Përndryshe, pesë vite më parë, gjatë themelimit të ansamblit u hap e audicion për pranimin e stafit artistik. Në këtë audicion, përzgjedhja e artistëve u bë nga emra kompetentë të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat tona dhe në bazë të vlerësimeve të tyre u përzgjodhën artistët aktual që përbëjnë ansamblin, 20 valltarë, formacionin orkestral me 9 instrumentistë dhe sesionin vokal prej 8 solistëve.