9.6 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeU nisën për të përcjellë takimin e Ramës, Greqia bllokon gazetarët shqiptarë...

U nisën për të përcjellë takimin e Ramës, Greqia bllokon gazetarët shqiptarë në Kapshticë

Prej më shumë se 90 minutash, grupi i xhirimit dhe gazetarë të mediave shqiptare që po udhëtonin drejt Selanikut për të ndjekur takimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me emigrantët shqiptarë, janë bllokuar nga policia greke në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi sqaroi se doganierët grekë në kufi i ka lënë në pritje ekipet e gazetarëve dhe operatorëve, duke iu thënë se presin një autorizim nga Ministria e Jashtme, e madje duke mos ju kthyer mbrapsht as pasaportat e tyre.

“Ne ndodhemi që prej orës 15:00 (me orën lokale në Greqi) këtu në doganën e Kapshticës, në krahun e palës greke, pasi në doganën shqiptare janë ushtruar të gjitha kontrollet dhe kemi kaluar me parametra normalë. Më pas me të mbërritur te autoritetet greke, policia e Greqisë na mori pasaportat. Na kërkoi nëse kemi ose jo një letër konfirmimi nga ana e Ministrisë së Jashtme greke. Duhet të kujtojmë se ekipi i A2 CNN ka qenë në Greqi në Maj dhe nuk ka kërkuar pala greke asnjë dokument nga Ministria e Jashtme helene, apo autoritetet shqiptare. Megjithatë autoritetet shqiptare i kanë dërguar një notë verbale, që A2 CNN e disponon, Ministrisë së Jashtme greke me listën e emrave të gjithë ekipeve të mediave. Këtu në doganën e Kapshticës ndodhet ekipi i A2 CNN dhe TV Klan që nuk u lejuan të kalojnë. I kemi pyetur se sa do të vonohemi. Ata na kanë deklaruar edhe pak minuta dhe kjo përgjigje erdhi kur kishim 30 minuta që prisnim. Kemi diskutuar me ta dhe u kemi thënë se në maj ishim në Greqi dhe nuk na kanë kërkuar dokument autorizimi nga Ministria e Jashtme greke, por na kanë thënë se nuk e dimë çfarë bëjnë pikat e tjera. Ne e kërkojmë”, sqaroi gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi.

A2CNN madje ka komunikuar nëpërmjet telefonit me Ministrinë e Jashtme greke dhe ata janë shprehur se do ta dërgojnë përgjigjen së shpejti, por pa përcaktuar një afat kohor.

“Një precedent i tillë vështirë se mund të mbahet mend, pasi Shqipëria nuk ka penguar asnjëherë në doganat me Greqinë grupe xhirimi të mediave greke, të cilat kanë ndjekur live ngjarje si ceremonia mortore e Konstantinos Katsifas në vitin 2018, takimet e politikanëve grekë me minoritetin, apo edhe procesin zgjedhor të Himarës”, ka raportuar A2cnn.

Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka raportoi nga pika kufitare se ndodhet atje prej dy orësh. Argumenti i palës greke është që mungon një leje e posaçme e dhënë nga Ministria e Jashtme e Greqisë, diçka e paprecedentë dhe që nuk është kërkuar kur u bë takimi në maj në Athinë.

“Ndodhemi këtu në doganën e Kapshticës prej afro dy orësh tashmë. Na janë marrë pasaportat, por nuk lejohemi që të kalojmë. Nuk janë vulosur pasaportat. Argumenti është që ne na duhet një leje e posaçme e dhënë nga Ministria e Jashtme e Greqisë. Duhej dërguar një notë verbale, një kërkesë që ne të lejoheshim. E paprecedentë në fakt pasi herë pas here kemi bërë udhëtime të tilla. Ishim në Maj në Athinë me kryeministrin Edi Rama. Nuk na u kërkua asnjë leje e posaçme për të kaluar dhe për të transmetuar, apo për të xhiruar brenda territorit grek. Argumenti i punonjësve të pikës kufitare këtu në Kapshticë, të palës greke, është që na duhet patjetër kjo leje e posaçme pasi duhet të xhirojmë dhe prodhojmë video nga territori grek. Siç e thashë, është e pazakontë, e pakuptimtë, prej dy orësh mbajnë pasaportat dhe nuk kthejnë përgjigje edhe për sa orë të tjera do të rrimë këtu, të presim, për të kaluar dhe për të ndjekur aktivitetin për të cilin jemi nisur nga Tirana. Nuk është vetëm ekipi i Tv Klan. Ekipi i Tv Klan që do të transmetojë live ka rreth orës 10:30 që qëndron këtu në pikën e Kapshticës dhe edhe ata pa asnjë përgjigje se sa duhet të rrinë akoma për të kaluar në territorin grek”, tha Zotka.

Gazetarja Zotka u shpreh se është komunikuar me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe konsullatën shqiptare në Selanik.

“Kemi komunikuar me Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, kemi komunikuar edhe me konsullen shqiptare në Selanik. Ajo ka bërë gati prej më shumë se dy orësh edhe notën verbale. I është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. E mendonim se mund të kishte disa vonesa për shkak se sot është fundjavë dhe edhe atje normalisht është ditë pushimi dhe atje punonjësit nuk janë në punë. Duhet ta mirëkuptonim këtë. Edhe këtu në pikën kufitare na thanë që duhet të prisni vetëm pak minuta e ndërkohë vazhdojmë presim, nuk e di edhe për sa orë të tjera do të qëndrojmë këtu”, tha Zotka.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments