Ministrat e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Pançe Toshkovski dhe Ivica Daçiq, sot në pikën kufitare Tabanoc-Preshevë promovuan fillimin e sistemit One Stop të kontrolleve të përbashkëta në pikën kufitare, i cili mundëson transport më të shpejtë të njerëzve, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi midis dy vendeve, transmeton Portalb.mk.
Fillimi i këtij sistemi të kontrolleve të përbashkëta u shënua simbolikisht me nënshkrimin e Protokollit për zbatimin e kontrolleve kufitare në pikat kufitare, i cili u nënshkrua nga dy ministrat në këtë ngjarje. Njëkohësisht, sot u nënshkrua një protokoll për bashkëpunim gjatë sezonit turistik veror dhe dimëror, i cili rregullon dërgimin e ndërsjellë të zyrtarëve të policisë për të ndihmuar vendet dhe ngjarjet turistike në varësi të nevojave, i cili tashmë funksionon prej vitesh.
“Po e vëmë në praktikë atë që premtuam. Në fillim të këtij sezoni veror, po prezantojmë një sistem të përbashkët kontrolli kufitar, i cili duhet të mundësojë fluks më të shpejtë dhe më pak pritje për qytetarët tanë. Sot po fillojmë zyrtarisht të përdorim sistemin One Stop dhe jam i sigurt se koha e pritjes do të reduktohet ndjeshëm dhe transferimi i pasagjerëve në kufijtë tanë do të përshpejtohet. Sot u nënshkrua edhe protokolli për shkëmbimin e zyrtarëve të policisë brenda qendrave turistike ku kemi nevojë gjatë sezoneve turistike”, theksoi ministri Toshkovski.
“Qëllimi i këtij bashkëpunimi është thjeshtimi i procedurave të plota të kontrolleve kufitare në mënyrë që zyrtarët e policisë të vendeve të autorizohen, përveç kontrolleve kufitare të vendit të tyre, të kryejnë kontrolle kufitare në dalje të vendit. Ne thjesht po vendosim kontroll One Stop në pikën e hyrjes në vend. Me këtë ndalesë të vetme, shmanget ndalimi i panevojshëm i pasagjerëve në dalje. Ky është një hap i madh përpara, veçanërisht kur bëhet fjalë për festat e mëdha ose sezonin e verës kur një numër i madh njerëzish kalojnë kufijtë”, shpjegoi ministri serb Ivica Daçiq.
Në të njëjtën kohë, të dy ministrat diskutuan përcaktimin e bashkëpunimit në situata emergjente, siç janë zjarret, për ndihmë të ndërsjellë dhe përdorimin e burimeve në dispozicion të të dyja palëve në situata të tilla.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 24 qershor e ka miratuar propozimin për një pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, projekt i njohur edhe si “One Stop Shop”. Për këtë projekt kanë votuar 87 deputetë “për”.