Është vënë në përdorim hekurudha Kumanovë-Beljakovcë, e cila është pjesë e Korridorit 8, njoftoi Ministria e Transportit. Hekurudha është e gjatë 30.8 kilometra dhe përfshin tre stacione të reja hekurudhore, pesë ura, një tunel dhe shumë objekte të tjera infrastrukturore.
Kryeministri Hristijan Mickoski në ngjarjen me rastin e vënies në punë të hekurudhës tha se Korridori 8 paraqet një projekt të rëndësishëm dhe strategjik së bashku me Korridorin 10.
“Këto dy korridore janë prioriteti kryesor për këtë qeveri sepse si shtet ne përfaqësojmë një kryqëzim natyror të këtyre dy korridoreve dhe kjo duhet të përfaqësojë përparësinë tonë në krahasim me shtetet e tjera në rajon”, tha Mickoski.
Siç tha ai, seksioni i dytë do të përfundojë së shpejti, si dhe procedura e tenderit për pjesën e tretë.
“Jam i bindur se seksioni i dytë do të përfundojë së shpejti brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Shumë shpejt do të përfundojë procedura e tenderit të seksionit të tretë, që do të thotë se ne do të lidhemi plotësisht me fqinjin tonë lindor dhe kështu do të jemi pjesë e një korridori shumë të rëndësishëm jo vetëm për BE-në, por edhe për NATO-n”, shtoi kryeministrit.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se shfrytëzimi i kësaj hekurudhe do të thotë shumë për popullatën vendase, por edhe për biznesin.
“Insistojmë që trafiku i mallrave të zhvillohet dhe tashmë kemi folur për pjesë të caktuara të trafikut të mallrave në këtë hekurudhë në mënyrë që biznesi të zhvillohet më lehtë. Dëshiroj ta falënderoj personalisht kryeministrin për mbështetjen, nuk është punë e vogël që për dy javë të hapen tre projekte të mëdha”, tha Nikolloski.