Sot në Komunën e Tetovës u mbajt seanca e parë e Këshillit Rinor Lokal (KRL) të sapoformuar, ku Elma Sherifi u zgjodh kryetare dhe Jehona Saiti nënkryetare, shkruan Portalb.mk.
Sherifi falënderoi anëtarët e këshillit që e zgjodhën atë si kryetare.

“Nuk kam dyshim se çdo organizatë dhe parti politike i kanë sjellë anëtarët më të mirë që i kanë, prandaj nuk kam dyshim që ne do të bëjmë punë shumë të mirë për të gjithë rininë, sepse do të jemi pasqyra dhe zëri i të gjithë rinisë”, deklaroi Sherifi.
Sherifi si kryetare e sapo emëruar tha se sot vetëm ka qenë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit dhe se në vazhdim do angazhohen për të rinjtë në fushën e kulturës, arsimit, sportit me aktivitete të ndryshme, dhe se mendojnë që ta rrisin numrin e anëtarëve të këtij grupi për të ecur përpara.
Nënkryetarja Saiti tha se të gjithë këtu që ishin mbledhur sot kanë bërë zgjedhje shumë të mirë.
“Të gjithë me një punë të madhe, me fokusim të madh besoj se do ia arrijmë qëllimit, të bëjmë me rininë diçka më të mirë”, tha Saiti.
Sherifi njihet si e afërt me partinë Lëvizja Besa. Ajo në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ka qenë kandidate e Lëvizjes Besa për këshilltare komunale, parti e cila tani qeveris me këtë komunë. Në pyetjen e Portalb se a mendon që është e drejtë që edhe pse është e angazhuar me punë në Komunë edhe të jetë kryetare e Këshillit Rinor, Sherifi tha:
“Mua këtu më ka sjellë Shoqata e Artistëve Figurativ dhe besoj që anëtarët e kanë pasur në dorë dhe ata vendosën që unë të jem”.
Me këtë përbërje të KRL-së nuk u pajtua edhe ish kryetari i këshillit rinor paraprak, Olti Esati. Ai në një deklaratë për Portalb tha se është totalisht kundër krijimit të monopolit brenda Këshillit Rinor Lokal.
“As përfaqësues nga opozita e këshillit komunal nuk ka, as nga BDI, LSDM, nuk ka përfaqësues në këshillin rinor lokal të cilët do të bënin kontrollimin e këshillit të cilët do të bënin zërin antagonist brenda punës së këshillit. Me këtë dëshmon që Komuna e Tetovës nuk u jep hapësirë të gjitha grupeve të përfaqësohen denjësisht në këshillin rinor”, tha Esati.
Kujtojmë që kritika për afrimitet me pushtetin e kaluar lokal dhe ishkryetaren e Komunës së Tetovës kishte edhe për kryetarin e këshillit rinor lokal paraprak.
Nga forumet rinore të partive ka anëtarë vetëm nga Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-ja. Sherifi tha se nga partitë tjera nuk kanë aplikuar.
Në Këshillin Rinor mund të anëtarësohen të rinj nga organizata për të rinj, forumet rinore të partive, organizata të nxënësve dhe studentëve, dhe forma të tjera të organizimit rinor. Megjithatë, përzgjedhja e figurave të afërta me paritë politike në opinon krijon dyshime se aty përfshihen interesa partiake.