Klithmat zgjuan banorët e Koçanit herët në mëngjes pas një zjarri të madh në diskotekën Pulse, ku ende po numërohet numri i viktimave, i cili shkon në dhjetëra. I madh është edhe numri i të lënduarve. Disa janë transferuar në spitalet e Shtipit dhe Koçanit, disa në Shkup. Disa prej prindërve ndodhen para spitalit të Koçanit në kërkim të fëmijëve të tyre pasi nuk kanë mundur t’i kontaktojnë në telefon.
Disa vdiqën nga mbytja, pasi thithën tym, të tjerët u dogjën.
Në anën tjetër të spitalit, në morg, ku nuk ka vend për të mbledhur trupat e të gjithë të vdekurve, ata janë rreshtuar para godinës dhe po bëhet identifikimi. Disa prej trupave do të jetë e vështirë për t’u identifikuar. Kryqi i Kuq po përpilon listat e të vdekurve.Tragjedia është e madhe, e kaosi edhe më i madh, sepse në kohën e shpërthimit të zjarrit në diskotekë kanë qenë rreth 1500 vizitorë, kryesisht të rinj nga Koçani, Shtipi, Vinica dhe rrethinat e tjera.
Zjarri është shkaktuar jozyrtarisht nga efektet e ndriçimit ose përdorimi i mjeteve piroteknike. Të gjitha zjarrfikësit nga rajoni dhe ata që mund të ndihmojnë janë thirrur për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Në Shtipin fqinj, në mëngjes dëgjohen vetëm sirenat e urgjencës, policisë dhe helikopterëve të policisë.
Për momentin nuk ka asnjë informacion zyrtar, përveç asaj që kemi raportuar nga Prokuroria, se është duke u përcaktuar numri i viktimave dhe të lënduarve nga zjarri, të gjitha shërbimet janë në terren dhe po bëhet inspektimi. Të gjitha autoritetet me të cilat kontaktuam sot i referohen informacioneve zyrtare fillestare, të cilat duhet t’i bëjë ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, i cili ndodhet në terren në Koçan. Aty pritet të arrijë edhe kryeministri Hristijan Mickoski.